Meshkujt që vrasin gratë, 74-vjeçari: U zumë për qiratë e dhomave të plazhit, nuk ia mori paratë një çifti

637
Tetë muaj pasi vrau me sëpatë gruan e tij, i moshuari Veli Dervishi do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për të dhënë llogari për krimin e kryer.
74-vjecari e ka pranuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Shazivare (Merja) Dervishi dhe iu tha hetuesve se krimi ndodhi pas një debati të ashpër që patën në shtëpinë e tyre në Durrës.
“Bëmë debat për qiratë e dhomave të plazhit. Gruaja nuk i mori paratë e një natë një familjeje kosovare. U zumë dhe ajo më ofendoi më fjalë të rënda. Më pas kapi sëpatën dhe u drejtua nga unë. Ja mora me forcë dhe dhe e godita tri here. Ajo ndërroi jetë. Dua të them që nuk kisha qëllim ta vrisja, por ndodhi…”, ka shpjeguar ndër të tjera Dervishi.
Veli Dervishi do të përgjigjet për akuzën e “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe rrezikon një dënim tejet të rëndë.
Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet edhe për të pandehurin Ruzhdi Luzi, një tjetër person që kreu krim brenda familjes. Ai goditi me thikë për vdekje bashkëshorten e tij 49-vjeçare, Manjola Luzi.
I pandehuri Luzi u tha hetuesve se e vrau gruan pas debateve të forta që kishin lindur mes tyre për arsye ekonomike, pasi të dy ishin të papunë dhe e vetmja mundësi për të mbijetuar ishte vjelja e ullinjve në vjeshtë.
Ruzhdi Luzi e vrau gruan brenda në shtëpinë e tyre në fshatin Drizë të Kuçovës, në praninë e tre fëmijëve.
Sigal