Mesazhi prekës i vajzës së gjyqtares Hafizi: Je heroina dhe perëndesha ime

585
“Vetëm ne e dinim se si ndihej Ajo, kur çdo të shtunë shkonim për të takuar të ashtuquajturin, baba. Ai për ne është një mostër që nuk meriton të jetojë!”
Një ditë pas vrasjes barbare të nënës, gjyqtares, Fildez Hafizi, vajza e saj ka publikuar një mesazh të ndjerë. Shpreh dhimbjen e madhe për nënën që u nda nga jeta pas plumbave të derdhur mbi të nga ish-bashkëshorti. Mes rreshtave të shkruar në një postim në Facebook ajo i referohet mamasë si Perëndesha dhe heroina e saj. Në mesazh, mllefi i Melisës ndaj të atit duket i qartë. “Dje kam humbur personin më të rëndësishëm në jetën time. Mami im ishte heroina ime, perëndesha ime. Ajo ËSHTË njeriu më i mrekullueshëm i kësaj bote dhe KURRË në këtë botë s’do të ketë njeri si ajo. Ajo sakrifikoi çdo gjë për ne, duke përfshirë jetën, që të na hiqte nga ai plehra. Pavarësisht çdo gjëje, ajo fliste mirë për të Pavarësisht çdo kafshërie që kemi jetuar në atë shtëpi. Ajo ishte shoqja ime e ngushtë, motra ime, dashuria ime e parë në këtë botë. Kushdo që e njihte e adhuronte kurajën, forcën inteligjencën, dashurinë e saj për jetën dhe zemrën e saj të pastër. Vetëm ne e dimë se si rrinte me frikë kur iknim çdo fundjavë te i ashtuquajturi “babi” që ka qenë dhe gjithmonë do të jetë një mostër që nuk meriton të marrë frymë. Kur të kujtoj mamin tim, unë nuk do qaj, por do jem krenare për personin, heroinën që më rriti. Dhe sado që unë nuk besoj në Zot, unë besoj që ajo tani është një engjëll që na ruan, sepse e tillë ishte dhe gjallë. Dhe ne do ia dalim, do e bëjmë krenare dhe do bëhemi të denjë që të quhemi fëmijët e saj. Sepse ajo është forca jonë dhe pse nuk është me mes nesh. Faleminderit të gjithëve që na u gjendet pranë”, shkruan vajza e të ndjerës. 

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi ditën e enjte nga ish-bashkëshorti i saj në Tiranë. Dhjetëra e qindra familjarë, miq, të njohur dhe kolegë kanë përcjellë për në banesën e fundit pasditen e kësaj të premte, Fildes Hafizin, e cila u vra në mënyrë tragjike një ditë më parë nga ish-burri i saj Fadil Kasemi në Tiranë. Siç tregojnë edhe pamjet, arkivoli me trupin e pajetë të së ndjerës është nxjerrë nga banesa nga i ati dhe të afërmit e tjerë. Mes lotësh ai dëgjohet tek thotë: “E dija që do ma vriste!”. 

Ditën e djeshme është zbardhur edhe dinamika e ngjarjes. Mësohet se në momentin kur është qëlluar për vdekje, gjyqtarja ka qenë duke hipur në makinë dhe po vendoste rripin e sigurimit. Ai ka qenë vetëm 10 metra nga pjesa e pasme e makinës, ku është afruar me shpejtësi dhe ka qëlluar menjëherë në drejtim të saj. Po ashtu mësohet se, autori nuk ka pasur asnjë komunikim me ish-gruan, por vetëm ka qëlluar dy herë, duke lënë të vdekur në vend. “Nga pamjet filmike duket se qëllon dy herë dhe duket se nuk kanë pasur asnjë komunikim. Pra, goditjet janë bërë menjëherë. Goditjen e parë e ka qëlluar nga një largësi rreth 20 cm, ndërsa të dytën më afër”, -sqarojnë burimet nga grupi hetimor. Gjyqtarja ishte nëna e dy fëmijëve, ndërsa ajo ishte ndarë nga Kasemi para 2 vitesh. 
Sigal