Mesazhi në celular zbuloi laboratorin e drogës në Durrës

447
Grupi kriminal i arrestuar në Durrës pas zbulimit të një laboratori droge në këtë qytet ka pasur një rrjet të fuqishëm të mbledhjes së kanabisit nga gjithë Shqipëria. Me persona të caktuar që mbulonin zona të caktuara, grupi kriminal që përbëhej nga të paktën shtatë persona, furnizohej me drogë nga zona e Shkodrës, e Krujës dhe nga Jugu i Shqipërisë (Gjirokastër, Tepelenë dhe Vlorë). Droga e siguruar nga rrjeti i grupit të trafikut transportohej drejt Durrësit, në mënyrë të kujdesshme dhe një nga organizatorët e aktivitetit, ndiqte gjatë rrugës në distancë me një makinë të dytë automjetin ku ndodhej kanabisi.
Prokurori i çështjes, Gentian Trenova, ka dorëzuar dje në gjykatë kërkesat për caktimin e masave të sigurisë “arrest me burg” ndaj shtatë personave të kapur në flagrancë nga Policia Gjyqësore në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Në kërkesën drejtuar gjykatës, burimet zyrtare të prokurorisë thanë se është sqaruar edhe fabula e aktivitetit, për të cilin akuzohen shtatë të dyshuarit.
Sipas Prokurorisë, një mesazh i dërguar nga rojat e vilës ku ndodhej laboratori, që njoftonin se ngarkesa me drogë ishte gati për nisje, ka shërbyer për ndërhyrjen e policisë në këtë ndërtesë ku gjet lënda narkotike.
Sigal