Mesazhi i fortë i Dom Marianit: Na fal o Zot, na mbushe prehrin me fëmijë, kurse ne marrim superxhiro

660
Pas tragjedisë së familjes Preka në Velipojë dhe një aksidenti të tmerrshëm të ri që shkaktoi dy viktima dhe la pa nënë një fëmijë, po publikojmë të plotë predikimin e Dom Marjanit në kishën e Velipojës, para arkivoleve të babait me dy fëmijët e ndjerë. 
Dom Mariani:
Ju gra, familjarë keni të drejtë që bërtisni për viktimat! 
Në atë mendjen tonë, si njerëzit tokësor që jemi na vijnë shumë pyetje dhe dhimbja na e shpon shpirtin.
I jam përgjëruar Zotit këto ditë: “M’u përgjigj, çfarë është kjo punë?! Si mundem t’ia vendos emrin kësaj historie, kësaj ngjarjeje?! Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që thuajse të jetë shuar një familje e tërë në një aksident në një moment të vetëm, të paktën këtu në zonat tona, viset tona!”
Prej Zotit kam marrë si përgjigje vetëm heshtje. Heshtje, heshtje, heshtje, heshtjen e tij totale. Atëherë e kam lënë Zotit dhe nuk e kam pyetur më.
Fillova të analizoj vetëm heshtjen e tij dhe përderisa hesht do të ketë një arsye. Unë isha i tunduar dhe besoj se të gjithë ne jemi të tunduar të dimë, si ndodhi, pse ndodhi, a mund të evitohej.
E çfarë rëndësie ka tani, çfarë na duhet gjithë ky kuriozitet?! Çfarë do të vlente të gjykojmë të gjallët apo të vdekurit në këto raste më apo duam të dëshmojmë edhe njëherë tjetër se të vetmen gjë që dimë të bëjmë mirë është fakti se ne jemi ekspertë për të vdekur, të shpërqëndruar, të rrimë e të gjykojmë njëri-tjetrin, të gjykojmë edhe të vdekurit?! 
Më besoni se jam ndjerë i dobët, i brishtë deri në kufijtë e një të pafeut kur e kam pyetur Zotin përse. Por në fakt si mundem unë, si mundemi ne me të gjithë kufizimet tona të gjykojmë Të gjithëditurin, Të gjithëpushtetshmin e Të kudogjendurin! 
Atë natë Zoti më shpejt se sa vdekja, ka marrë shpirtrat e tyre.
Përkundrazi, ne kërkuam ndjesë sepse shfrytëzova atë për të marrë superxhiron e radhës nga ana ime në kotësi e gjykime kote.
Fillova të mendoj me vete edhe më tepër.

Tani dua t’i kërkoj falje Zotit këtu përpara jush duke i thënë se “Zot na fal, se nuk është faji yt! Ti na ke mbushur me të mira, vazhdon të na mbushësh me të mira, vazhdon të na mbash me të mira në të gjithë botën dhe na ke premtuar jetën tënde të pasosur. Kemi sot në zemrën dhe prehërin tonë dhurata të shumta, fëmijë me ëmbëlsirën dhe dashurin e tyre. Na ke mbushur me të mira materiale që nganjëherë ne nuk dimë që t’i përdorim. Marrim superxhiro dhe krijojmë Zota të rremë.” 
Dua t’i kërkoj falje Zotit sot dhe t’i them “na fal o Zot se ne harxhojmë më shumë kohë të pimë një kafe se sa të përqëndrohemi tek gjërat e jetës, tek jeta që është realiteti i vërtetë.”
Nuk mund të rri vëllezër dhe motra dhe nuk duhet mos ta mendojmë dhe të mos themi a ka përgjegjësi.
A kemi përgjegjshmëri me jetën tonë, atë që sjellim dhe atë që jemi duke bërë. Jo për të shuar kuriozitetin por kemi nevojë që të dimë se çfarë ka ndodhur.
Do t;i kërkoja organeve kompetente shihni çfarë ka ndodhur. Më tepër se gjithçka këtu e mbi të gjitha për të nderuar jetët e shuara të këtyre tre personave që kemi përballë të shtrirë.
T’i nderojmë me një sjellje tjetër, në jetën tonë të përditshme të jemi më të përgjegjshëm.
Duke biseduar me një prej djemve të rinj të famullisë më thoshte: Dom, a thua kemi për të mësuar ndopak nga ajo çfarë pamë, a thua kemi për të qenë më të përgjegjshëm tani e në vazhdim?!
A e dini çfarë? Nuk pata përgjigje unë kësaj here për t’i thënë atij të riu. Ashtu si Zoti nuk m’u përgjigj mua, nuk pata as unë përgjigje për t’i dhënë atij të riu.
Më duket se ne harrojmë shpejt dhe nuk mësojmë kurrë.
Herën e parë kur u inatosa me Zotin dhe u zemërova me të isha i bindur se mallkimi i vrasjes nuk do të ndodhte më dhe se s’do kishte mundësi që dikush të vendoste dorën prapë në pushkë për t’i marrë jetën dikujt tjetër. Shpejt në kohë dhe jo shumë larg nga këtu përsëri mallkimi i dorës së egërsisë vazhdoi të shpërthejë gjithandej përsëri. Shohim vrasje, shohim padrejtësi, pandërgjegjshmëri dhe jo vetëm.
Dje në mëngjes teksa opinioni publik më sillte mesazhe të pafundme ngushëllimi, telefonata, emaile për këtë tragjedi që ndodhi nuk i kishin mbyllur ende kopshtet dhe shkollat.
Motrat (murgeshat) po më thonin që Aiseli 5 vjeçe që u nda nga jeta kërkohej nga fëmijët e tjerë. Vajzat, shoqet e saj pyesnin ku është Aiseli, pse nuk ka ardhur sot. Në fakt Aiseli ishte duke ardhur, jo më këmbët e veta si zakonisht dhe ishin duke e sjellë jo më tek kopshti por përbri kopshtit, tek teatri (vendi ku u bë ceremonia mortore) aty ku është menduar se Aiseli dhe gjithë fëmijët e tjerë do të argëtoheshin për një kohë të gjatë. Aty do të kthehej.
Pashë në një moment një prind tjetër që po vinte me makinën e tij për të sjellë fëmijët e tij dhe kishte një fëmijë të vogël në prehërin e tij në timonin e makinës. Është e vështirë që të mësohemi.
Ndaj them që nuk është vetëm Zoti dhe unë dua të kërkoj falje të thellë sot Rajanit 6 muajsh dhe Aiselit 5 vjeçe që nuk jetojnë më mes nesh të cilët me siguri janë thirrur për të jetuar më gjatë por terreni që ne përgatisin, arroganca jonë nuk na lë, nuk krijojmë një habitat të përshtatshëm që fëmijët tonë të rriten të jetojnë.
Rajan dhe Aisel, dua t’ju kërkoj ju që tashmë jeni ëngjëj, lutuni për shokët tuaj, për shoqet tuaja, për prindërit e tyre, për prindërit tanë, për familjet tona që të zbutet kjo vrazhdësi e tmerrshme e kësaj bote që ne vetë jemi duke e krijuar.
Lutuni që të jemi më të dashur, më të ngadalshëm, jo me vrull, të marrim kuptimin e vërtetë të jetës.
Rajan, përpara se të mësoje të thirrësh emrin e parë “babë”, sot po të takon të thërrasësh Atin qiellor, Babain e vërtetë!
Përpara se të thërrasësh emrin “nënë”, jam i sigurtë se ke përfunduar në duart e Zojës Maria!”
Sigal