Merrnin ryshfet për skanerin, arrestohet mjeku dhe sekseri

473
Sigal

TIRANË– Një mjek anestezist-reanimator tek skaneri në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë dhe një sekser janë arrestuar mëngjesin e ditës së premte pasi sistematikisht u merrnin para pacientëve që kishin nevoja për ekzaminime në skaner. Burimet zyrtare për gazetën “Telegraf”, pohojnë se, të arrestuarit janë, mjeku Ilir Broqaj dhe sekseri Arben Doda. Mësohet gjithashtu se, operacioni kundër korrupsionit në mjekësi, po vijon me kontrolle në banesa, shoqërime të tjera dhe identifikimin e llogarive bankare. “Pas një hetimi një mujor, në kuadër të Operacionit ‘Skaner 2013’, në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë të Ilir Broqi, 41 vjeç, me detyrë shef i sektorit të kirurgjisë pranë QSUT-së, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale ‘Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe 48-vjeçarit Arben Doda, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale  ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’. Arben Doda, ish-punonjës i sigurimit të QSUT-së u kërkonte dhe u merrte në emër të doktor Ilir Broqaj qytetarëve të ndryshëm shuma nga 15.000 lekë të reja deri me 17.000 lekë të reja në funksion të kryerjes së skanerit të përgjithshëm në Qendrën Spitalore Universitare”,-shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”. Krahas kontrollit në banesat e të ndaluarve dhe bllokimit të llogarive bankare të tyre, janë shoqëruar për dëshmi në funksion të hetimeve disa persona.