Me shpejtësi skëterrë dhe pa patentë, kapet mat i riun në Tiranë

354
Sigal

Policia e kryeqytetit ka ndaluar sot një 24-vjeçar që jo vetëm lëvizte me shpejtësi të madhe, por pa patentë dhe rrip sigurimi në aksin rrugor “Kopshti Botanik – Rrethrrotullimi i TEG-ut”. Gjatë ndjekjes mësohet si i riu ka braktisur mjetin, por është neutralizuar më vonë si dhe është zbuluar të jetë një person i dënuar me “arrest shtëpie”.

NJOFTIMI I PLOTË
Njësia Operacionale e Sigurisë Rrugore pas sinjalizimit nga qytetarët, në aksin rrugor “Kopshti Botanik – Rrethrrotullimi i TEG-ut” ka konstatuar një drejtues mjeti, i cili po qarkullonte në mënyrë jonormale dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.

Shenjës së patrullës për të ndaluar, drejtuesi nuk i është bindur dhe patrulla është vënë në ndjekje të tij. Në mes të ndjekjes drejtuesi e ka braktisur mjetin, por është kapur nga punonjësit e Njësisë Operacionale në tentativë për t’u larguar.

Drejtuesi i mjetit shtetasi D. Sh., rezultoi i papajisur me leje drejtimi, pa vendosur rripin e sigurimit, si dhe nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se për këtë drejtues mjeti, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale të “Kanosjes me armë”.