Me 700 kg marijuanë të ngarkuara në skaf, dy shqiptarët arrestohen pas disa orësh ndjekjeje në det

595
Sigal

Një operacion mes policisë shqiptare dhe asaj italiane ka çuar në sekuestrimin e 700 kg drogë dhe arrestimin e dy shqiptarëve që drejtonin skafin.

Sipas burimeve zyrtare, ditën e djeshme, Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative është vënë në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin.

Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza në Itali finalizuan me sukses operacionin, edhe si rezultat i bashkëpunimit efektiv të forcave policore të dy vendeve, nëpërmjet zyrave ndërlidhëse.

Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë.

Janë në vijim hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë mbetet e angazhuar për të goditur çdo paligjshmëri, fton këdo që ka informacion të denoncojë në anonimat, në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital!