Mbi 13 mijë granata, mund të shkaktonin një Gërdec të dytë

518
Sikur të mos kishte ndodhur mrekullia, ndoshta në Elbasan, mund të kishte ndodhur një tragjedi ndoshta më e madhe se e Gërdecit. Ngjarja ka ndodhur në një prej depove të Ministrisë së Mbrojtjes, kur një “specialist” armatimi ka tentuar të demontojë me dorë granatën luftarake, e cila sapo kishte ardhur nga tunelet e Mirakës dhe depot e Menglit. Sërish repartet e Ministrisë së Mbrojtjes gjenden mes kufirit të skandaleve dhe paaftësive, të stimuluara nga drejtuesit e komandantët e pazotë. Sipas burimeve nga Elbasanit, të cilat i referohen dy ushtarakëve të komandës atje, mësohet se “para 5-6 ditësh, pasi janë shkarkuar dhe janë magazinuar qindra arka me granata luftarake kineze, dhe pjesërisht edhe ruse, një prej “specialistëve”, nën hundën edhe të zyrtarëve të Policisë Ushtarake, ka tentuar të bëjë një provë, të demontojë me dorë dhe jo makineri një granatë, e cila ka plasur dhe i ka dëmtuar atij gjymtyrët, dhe fatmirësisht nuk ka shpërthyer e gjitha, pasi mund të vriste e pakta 60 vetë, dhe mund të shkatërronte dhjetëra hektarë tokë dhe qindra banesa”. 

Ngjarja, sipas burimeve tepër të sigurta ka ndodhur në prani të oficerëve të Policisë Ushtarake dhe zyrtarëve të tjerë të komandës së Elbasanit, ndërkohë që “specialisti” i plagosur është nisur me urgjencë drejt Tiranës, pasi Spitali i Elbasanit nuk e mori përsipër. Hemorragjia ka qenë e madhe dhe “specialisti” rrezikon të mbetet ndoshta i gjymtuar. Rasti më i fundit i ndodhur dhe rreziku i një tragjedie, e cila mund të fshinte nga faqja e dheut gjithë repartin ushtarak, duhet të bëhet mësim për ministren Mimi Kodheli, dhe vartësit e saj të paaftë, që e kanë katandisur ushtrinë (në rast se themi se kemi të tillë) në një turmë tek e cila janë punësuar oficerë të pashkolluar, specialistë të cilët vetëm të tillë nuk janë, dhe ushtarakë militantë, që u diktojnë eprorëve të tyre, edhe vendin ku të bëjnë roje. Një rast më tepër se skandaloz. Prej disa javësh nga Miraka, Mengli, dhe Vertopi (Berat) po ngarkohen dhe dërgohen për demontim qindra e mijëra armë e municione, të cilat nuk dihet me saktësi, sa janë, sa shiten, dhe sa shkojnë për demontim. 

Burimi të cilit i referohet “Telegraf” tha se “si rregull Policia Ushtarake, ka për detyrë të shoqërojë kamionët nga vendi ngarkimit deri sa shkarkohen në depot e ULP Mjekës, por kjo gjë nuk ndodh gjithmonë, pasi shkelen rregullat e miratuara prej vitesh nga Ministria e Mbrojtjes, dhe oficerët e asaj strukture, merren më tepër me gjuetinë e zbulimit të “spiunëve” që flasin me mediat, se sa me zbatimin e detyrave të tyre. Gjithashtu edhe procesi i ngarkimit, shkarkimit dhe referimit të çdo procedure, ka mangësi ligjore dhe kryhet jashtë normave dhe rregulloreve ushtarake, gjë e cila ka gjasa të krijojë mundësinë e abuzimeve, përfitimeve, dhe ndonjë tragjedie, e cila do të mund të shkaktonte viktima dhe dëme të shumta materiale. Repartet e Ministrisë Mbrojtjes në Elbasan, janë jashtë kontrollit, janë jashtë logjikës së se si funksionon një ushtri e cila është pjesë e strukturave të NATO-s, dhe më tepër ngjan me një repart të shpartalluar, ku mungojnë nga uniformat, rregulli dhe disiplina, dhe deri tek profesionistët, të cilët po shesin çdo gjë që i ka mbetur akoma Forcave të Armatosura”. Rasti më i fundit, ndodhur me plagosjen e “specialistit” ka ngritur disi në këmbë Prokurorinë, e cila prej disa ditësh po mjaftohet me pyetjen e dëshmitarëve, mbledhjen e provave dhe ndoshta mbajtjen e ndonjë procesverbali, duke mos vënë nën akuzë askënd, ashtu siç ka ndodhur deri sot, me skandalet e ndodhura në repartet e ushtrisë. 
Maksim Tufa
Sigal