Maskat, dhunë, terror e grabitje, “përshëndesin” festën e policisë

428
Sigal

 LEZHË-SARANDË/Në mesnatë, grabiten 3 banesa në Lezhë e dhunohen 3 gra, ndërsa në Sarandë vidhet e dhunohet biznesmeni

 Bandat e armatosura, pothuaj në të njëjtën kohë, pikërisht ditën që Forcat e Policisë festonin ditën e krijimit, kanë demonstrua grabitje me armë duke plagosur tre persona, në jug dhe në Veri të vendit. Teksa policia ka administruar ngjarjet, banditët, si shpesh kohët e fundit, janë larguar në drejtim të paditur, duke i bërë sfidë policisë e drejtuesve të tyre, pikërisht në ditën që ata festonin me ‘arritje’ përvjetorin e krijimit. Burimet zyrtare konfirmojnë se në Lezhë, persona të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur 3 banesa të një kati pallati, duke dhunuar dhe gratë që ishin të vetme në banesë, Ndërsa në Sarandë, ndonëse biznesmeni i profileve të aluminit, i grabitur dhe dhunuar, kur ka vajtur në mëngjes për të bërë denoncimin, i kanë thënë: “Prit, se jemi në festë sot, e regjistrojmë denoncimin më vonë”.

GRABITJA NË LEZHË

Burime për “Telegraf” thonë se, tre apartamentet, të cilat ndodheshin në të njëjtin kat të një pallati në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës, janë grabitur njëra pas tjetrës, ndërsa familjarët kanë përjetuar momente tmerri. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 e ditës së hënë. Dy persona me maska dhe të armatosur kanë përdorur tarracën e një bari për t’u ngjitur në katin e dytë dhe më pas lehtësisht janë ngjitur në katin e tretë dhe kanë hyrë përmes ballkonit në apartamentin e parë. Në shtëpinë e parë ndodhej një grua me të bijën, por nuk kanë ndjerë asgjë. Hajdutët kanë hyrë në banesën e dytë që dukej se ishte edhe pikësynimi i tyre. Kanë thyer xhamin e ballkonit dhe kanë hyrë brenda. Në të ndodhej një grua e vetme, të cilën e kanë goditur dhe grabitur. Teksa mbanin nën presion dhe trysninë e armëve gruan e vetme, një grabitës ka hyre edhe në banesën e tretë ku nuk ka pasur njeri.  Më pas kanë dalë nga hyrja e pallatit duke thyer llambat për të mos u parë. Pasi janë larguar, gruaja e dhunuar e cila kishte bashkëshortin jashtë vendit si emigrant ka lajmëruar policinë. Personat e maskuar u kanë marrë paratë, bizhuteritë dhe sende të tjera me vlerë. Dy nga gratë e dhunuara kanë përfunduar në spital. Janë shoqëruar rreth 10 persona. Grabitësit, në ikje kanë harruar telefonat, gjë, e cila mund të hedhë dritë për autorët”,-shtojnë burimet e mësipërme

GRABITJA NË SARANDË

Burimet për “Telegraf” konfirmojnë se, grabitja e dhunshme në Sarandë ka ndodhur në banesën e Nard Beqirit në fshatin Metoq, nën juridiksionin e bashkisë Sarandë. “Tre persona të armatosur me kallash e të maskuar janë future në banesën e Beqirit, punonjës i shëndetësisë në Sarandë, e pasi e kanë dhunuar, I kanë grabitur një motor dhe janë larguar. Ka qenë ora 01:30 e pas mesnatës. Në mëngjes, pronari ka shkuar të bëj denoncimin, por në sportel i kanë thënë të priste, pasi ata ishin të angazhuar me ceremoninë e festës. 20 ditë më parë, banesa e Beqirit është grabitur, por autorët mbeten anonimë. Në harkun 5 muajve, në Sarandë kanë ndodhur dhjetëra vjedhje, por asnjë identifikim e arrestim autori nuk ka”,-shtojnë burimet e mësipërme.