Masakra e trefishtë në Vlorë, Prokuroria çon dosjen në gjykatë

501
Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim kërkesën për shtetasit Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, të akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim, ku mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ngjarje e ndodhur në datë 7 prill 2015, në lagjen “1 Maji” të qytetit Vlorë, gjatë një konflikti me armë ndërmjet disa personave.
Po ashtu, të pandehurit akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”. Fillimisht, të akuzuarit janë hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg”. Por më pas, gjykata e Vlorës zbuti masën e sigurimit për shtetasit Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, duke i vendosur “detyrim për paraqitje”, pavarësisht provave të shumta në ngarkim të tyre.
Po ashtu, ditën e djeshme, Gjykata e Vlorës ishte duke marrë në shqyrtim kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë edhe për të dyshuarin si personi kryesor në këtë ngjarje, shtetasin Aleksandër Llanaj, i cili kishte kërkuar gjithashtu masë më të butë. Seanca për kërkesën mbi ndryshimin e masës së sigurisë për të akuzuarin Llanaj, e parashikuar për ditën e djeshme nuk u zhvillua, për shkak të mungesës së prokurorit.
Sigal