Masakra e Elbasanit, gjendet kallashi i tretë 500 m larg lokalit, 46 të shoqëruar

484
Një ditë pas masakrës me 3 të vrarë dhe 8 të plagosur në Elbasan, detaje të reja dalin në pah. Mësohet se vrasësit mbanin të veshur kamuflazh ushtrie, ndërsa pasi kanë kryer krimin armët i kanë hedhur para lokalit. “Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes 2 armë zjarri automatik që dyshohet se i kanë lënë në vendngjarje autorët e krimit, dy krehra pa fishekë dhe një krehër me 26 fishekë si dhe 65 gëzhoja”,­ njofton zyrtarisht policia në një deklaratë të mëngjesit të sotëm. Mësohet se një grup Specialistësh të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit të kryesuar nga Drejtori i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Specialistet për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Elbasan si dhe me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes. Mësohet se 8 personat e plagosur (tre prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën) kanë qenë jashtë lokalit nën shoqërinë e viktimave dhe janë të gjithë të afërm me njëri-tjetrin.
SI NISI KONFLIKTI
Zanafilla e vrasjeve që po trondisin prej 11 vjetësh Elbasanin kanë nisur në 26 dhjetor 2005, natë kur u ekzekutua Sokol Çapja, një biznesmen i njohur i zonës. Pronari i kompleksit gjigand “Univers” u vra në një atentat të tipit mafioz, ndërsa rrinte në shoqërinë e dy vajzave. Pas vrasjes së Sokol Çapjes, një prej të akuzuarve ishte Gentian Beqiri. Në gusht 2012 gjykata kishte vendosur për të ‘arrest shtëpie’, ku e ruanin dy policë, por hasmi arriti të futet brenda, në sy të policisë, e ta vrasë në gjumë. Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin. Një prej të akuzuarve për vrasjen e Beqirit ishte edhe Florenc Çapja, i cili ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme. Mësohet se Florenc Çapja i shpëtoi akuzës pasi paraqiti dokumente që tregonin se gjatë kohës së krimit ndodhej në Maqedoni.
HETIMET, SHOQËROHEN 46 PERSONA
Policia e Elbasanit ka vijuar kontrollet gjatë gjithë natës për kapjen e autorëve të masakrës me 3 të vdekur e 8 të plagosur që tronditi qytetin mbrëmjen e djeshme. Mësohet se kontrollet janë ushtruar në 4 qytete: Elbasan, Peqin, Cërrik dhe Librazhd por edhe në akset rrugore kryesore, ku janë verifikuar të gjitha automjetet e dyshimta. Deri tani janë shoqëruar për verifikime 46 persona, të cilët po merren në pyetje për zbardhjen e ngjarjes. Kontrolle janë ushtruar në mbi 150 garazhe makinash si dhe në zonat fushore dhe kodrinore për autorët dhe mjetin e tyre, por ende asnjë gjurmë e tyre.
GJENDET KALLASHI I TRETË, U HODH NGA “POLICËT” 500 M LARG LOKALIT
Gjendet arma e trete, tip kallashnikov që dyshohet se është përdorur nga “policët” që ekzekutuan mbrëmë tre persona në Elbasan dhe plagosën 8 të tjerë. Paraditen e sotme rreth 500 metër larg vendit të masakrës u gjet një kallashnikov. Arma u gjet në afërsi të shinave të trenit. Më herët grupi hetimor njoftoi se gjeti dhe sekuestroi në vendin e masakrës në Elbasan plot 65 gëzhoja, dalë nga armët e autorëve të veshur me uniforma policie.
TRE TË PLAGOSUR MË RËNDË, ENDE NË RREZIK PËR JETËN
Nga 6 të plagosurit që kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Spitalin e Traumës në Tiranë, 3 prej tyre janë ende në rrezik për jetën. Mësohet se Bujar Rreshka, Luan e Ferit Muça ndodhen në reanimacion në gjendje të pastabilizuar. Ndërsa 3 të plagosur të tjerë janë në gjendje më të stabilizuar.
MASAKRA
Mbrëmë, Agron Çapja bashkë me dhjetë të afërm të tij të moshës nga 25 në 55 vjeç (kushërinj, nipa e krushqi), ndodhej jashtë lokalit që dikur e ka pasur në pronësi të tij (vendi ku ndodhet lokali quhet “Rrapi i Gonit”, në Unazën jugore të qytetit të Elbasanit). Ata ishin duke biseduar njëri me tjetrin, kur disa persona të armatosur kanë zbritur nga mjetet e tyre (pohohet të kenë qenë tre) dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash. Autorët e krimit, në pak minuta kanë shkatërruar gjithë lokalin, ndërsa kanë vrarë tre persona si dhe kanë plagosur 8 të tjerë. Pas masakrës, ekzekutorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët e skenës së krimit kanë parë një makinë “Benz” me ngjyrë gri t’i afrohej lokalit njëkatësh. Nga mjeti kanë dalë 4 persona, të armatosur e me kapuça, të cilët nga jashtë qëlluan me breshëri drejt lokalit. Plumbat thyen xhamat, duke depërtuar në tavolinat ku ishin ulur si shënjestrat e autorëve, ashtu dhe klientë të rastësishëm. Pasi kanë qëlluar me breshëri, autorët u larguan me shpejtësi, me të njëjtin mjet që erdhën, ndërsa dy prej armëve i kanë hedhur në rrugë.
VIKTIMAT
Agron Çapja, 50 vjeç
Ardit Sinakoli, 27 vjeç
Eno Bedalli, 37 vjeç
TË PLAGOSUR NË SPITALIN E TRAUMËS
Fejzulla çapja
Ferit Muça
Luan Muça
Bledar Muça
Bujar Reshka
Florenc Çapja
TË PLAGOSUR, NË SPITALIN E ELBASANIT
Ardian Zharri
Arnold Çapja
Sigal