Masakër në Tiranë, 4 të vrarë në lokal nate

496
Sigal

TIRANE – Një përplasje me armë në një lokal nate në Tiranë ka përfunduar me pasoja tragjike, ku kanë humbur jetën 4 persona. Ngjarja e rëndë ndodhi në të gdhirë të ditës së sotme rreth orës 04:00 në lokalin “Ante Grand” të njohur për jetën e natës përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe pranë gjimnazit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë.

Arbër Demiraj 19 vjeç, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, Edison Jaho 36 vjeç dhe Enea Xhaji 38 vjeç janë tre rinjtë që kanë humbur jetën nga përleshja me armë dhe bashkë me ta ka humbur jetën dhe një italian. Giampaolo Azzola, 55 vjeç ndodhej në lokalin ku u konfliktuan të rinjtë, ndërsa mjekët konfirmuan për A1 REPORT se italiani ka ardhur i pajetë në spital dhe kishte marre 3 plumba ne kraharorin e majtë, shumë pranë zemrës. Azzola ndodhej në klubin e natës me një person tjetër dhe mbetet mister perfshirja e tij në konfliktin e armatosur që shpërtheu brenda lokalit e përfundoi më tej në rrugë.

Policia ka arrestuar tre persona si autorë të dyshuar për vrasjen e 4-fishtë, Kostandin Xhuvani 25 vjeç (djali i deputetes të Partisë Socialiste Luiza Xhuvani) Erald Sida 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç.

Sherri ka nisur gjatë orëve të para të mëngjesit brenda ambienteve të lokalit, por ka vijuar edhe jashtë, aty ku është kthyer në një përleshje me armë mes 7 personave të përfshirë në konflikt. Si pasojë, janë qëlluar për vdekje me armë 4 persona. Sipas burimeve nga policia e Tiranës për A1 REPORT, para degradimit të sherrit që çoi në vrasjen e 4 personave, është qëlluar dy herë me armë edhe brenda lokalit.
 
Sakaq, policia gjeti në vendin e ngjarjes, jashtë ambienteve të lokalit të natës, 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 3 gëzhoja fishekësh luftarak.

Policia ka shoqëruar deri më tani 12 persona sëbashku me administratorin e lokalit për të dhënë dëshmi, ndërsa mësohet se kanë qenë banorët e pallatit ku ndodhet clubi i natës, ata që kanë njoftuar uniformat blu për të shtëna me armë.

Hetimet për këtë ngjarje të rëndë kanë nisur për të zbardhur shkaqet e konfliktit të armatosur mes të rinjve, ndërsa në vendin e ngjarjes është ndodhur edhe vetë kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe prokurori i Tiranës, Petrit Fusha.

Burime nga policia: Djali i ish-prokurorit u vra aksidentalisht nga shokët e tij
Arbër Demiraj, djali i ish-prokurorit, sipas burimeve nga policia mësohet se është vrarë aksidentalisht nga 3 shokët e tij, të cilët njëherësh janë tre autorët e dyshuar të vrasjes së 4-fishtë. Demiraj ishte pjesë e grupit të Konstadin Xhuvanit, por është qëlluar aksidentalisht me armë gjatë përleshjes në lokalin e natës. Policia e Tiranës e cila mbërriti në vendngjarje pas njoftimeve për të shtëna me armë, ka kapur në kushtet e flagrancës tre të rinjtë Konstandin Xhuvani, Eralda Sida, Albano Ballcaj në trotuarin e clubit, teksa tentuan të largonin me automjetin e tyre trupin e pajetë të 19-vjeçarit Arbër Demiraj.

Viktimat dhe autorët e dyshuar njiheshin, policia i gjen të regjistruar në celular numrat e njëri-tjetrit
Gjithashtu, burime nga policia thanë  se grupet e personave të përfshirë në konfliktin me armë, kanë pasar njohje të mëparshme me njëri-tjetrin. Kjo pasi në telefonat celularë të tyre policia ka gjetur të rregjistruar numrat e njëri-tjetrit. Por edhe lokali i natës ku ndodhi masakra nuk është e rastësishme, pasi sipas burimeve, autorët e dyshuar dhe personat që humbën jetën ishin klientë të rregullt në këtë klub.

Pistat e hetimit: Vrasje për motive banale dhe prishje e pazareve të drogës
Dy janë pistat kryesore ku është përqendruar hetimi mbi vrasjen e 4-fishtë: Vrasje për motive banale, por ajo që dyshohet më së shumti është prishja e pazareve të drogës.

Viktimat
Edison Jaho, 36  vjeç  lindur në Berat dhe banues në Tiranë
Enea Xhaj , 38 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë
Arber Demiraj, 19 vjec, lindur dhe banues në Tiranë
Giampaolo Azzolo, 55 vjec, me shtetësi dhe kombësi italiane

Autorët e dyshuar të krimit
Konstandin Xhuvani, 25 vjeç, djali i deputetes te PS, Luiza Xhuvani
Erald Sida 24 vjeç
Albano Ballcaj, 19 vjeç
Njoftimi zyrtar i Policise se Tiranes 
Ora 08:16 Ditën e sotme rreth orës 04:00 shërbimet e policisë morën njoftim se në bar “Ante Grand”e ndodhur në rrugën e “Elbasanit” në Tiranë në një lokal nate, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
 
Menjëherë në vendin e  ngjarjes, kanë shkuar shërbimet e policisë duke bërë rrethimin e lokalit, të zonës përreth, shoqërimin e personave prezent në vendngjarjes. Nga hetimi paraprak ka rezultuar se në këtë lokal nate pas një konklikti të çastit midis disa shtetasve, konflikt i cili më pas ka denigruar me armë zjarri, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen 4 shtetas: 
 
1.      Edison Jaho , vjeç 36, lindur në Berat dhe banues në Tiranë.
2.      Enea Xhaj , vjeç 38, lindur në Berat dhe banues në Tiranë.
3.      Arber Demiraj, 19 vjec, lindur dhe banues në Tiranë.
4.      Giampaolo Azzolo, 55 vjec, me shtetësi dhe kombësi italianë.
 
Menjëherë në vend ngjarje, ka mbërritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalist, oficerët për Krimet e Rënda, Prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët adminstruan dhe sekuestruan provat në vendin e ngjarjes.
 
Nga veprimet e shpejta të policisë është bërë  kapja  në kohë reale e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje,  të cilët janë shtetasit :
 
· Konstandin Xhuvani, 25 vjeç, Erald Sida 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç, si dhe janë shoqëruar shtetas të tjerë prezent në ngjarje.
 
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të llojit pistolete, 3 gëzhoja fishekësh luftarak si dhe dy automjete të markes Mercedes Benz më targa “TR0250N”.
 
Aktualisht, nga strukturat e policisë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.