Marrin peng 48 orë e dhunojnë kamerierin, në pranga 2 pronarët

470
Sigal

KAVAJË/E akuzuan se vodhi një portofol. Në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në krim

 Pas tritolit në një banesë në Pogradec, masakrimit të tre kambistëve në Durrës e grabitja e mbi 100 mijë eurove nga banditë me veshje komandoje e makina policie, vrasjes së katërfishtë në Korçë, pengmarrja, është manifestimi i krimit që ka pushtuar vendin kohëve të fundit. E të katër këto vepra të rënda kriminale, kanë ndodhur në harkun e vetëm dy ditëve. Burime të policisë se akti i peng marrjes së një të riu, i cili është mbajtur 48 orë nën kërcënim, ka ndodhur në Kavajë. Burimet zyrtare të policisë thonë se janë arrestuar dy pengmarrësit (pronarë të një lokali) dhe janë shpallur në kërkim dhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtor në të njëjtën vepër të rëndë penale. Përtej komunikate së ‘thatë’ të policisë, rastet e rritjes së aktiviteti kriminal, në numër dhe pasoja, po krijojnë një klimë pasigurie për jetën dhe pasurinë tek qytetarët e thjeshtë. Ndërkohë, statistikat e policisë evidentojnë ‘suksesin’ në trefishimin e gjobave ndaj automjeteve.

PENGMARRJA

Burime për “Telegraf” pohojnë se objekt i peng marrjes ku janë përfshirë 5 persona, ka qenë një 17-vjeçar nga Kavaja, kamerier në një nga lokalet e këtij qyteti. “Persona të identifikuar tashmë e dy prej tyre të arrestuar, kanë  marrë peng dhe kanë torturuar 17-vjeçarin I.H., duke e akuzuar si autorin e grabitjes së një portofoli me një shumë parash në lokalin ku punonte. 17-vjeçari e ka mohuar një fakt të tillë. Por pengmarrësit, dy prej të cilëve pronarët e lokalit, e kanë marr dhe e kanë mbajtur peng për 48 orë të riun, duke ushtruar ndaj tij edhe dhunë fizike e psikologjike për të pranuar grabitjen e portofolit. Mungesa e fëmijës ka alarmuar prindërit, të cilët kanë njoftuar policinë”,- shtojnë burimet për “Telegraf”.

OPERACIONI

Rreth mesditës së djeshme, forcat e policisë kanë mundur të lokalizojnë vendin ku mbahej peng 17-vjeçari dhe kanë ndërhyrë.  Në pranga janë vënë Jeton Laçi dhe Kreshnik Nurçe. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Ilirjan Laçi, Flogen Damarja dhe Ermal Shehi. Ata do të përballen me akuzën” Heqje të paligjshme të lirisë, ushtrimit të dhunës psikologjike dhe fizike si dhe plagosjes së lehtë me dashje. Mësohet gjithashtu se vazhdon operacioni për kapjen e tre pengmarrësve të shpallur në kërkim. Në funksion të zbardhjes së peng marrjes, përveç deponimeve të dy të arrestuarve, janë thirrur dhe disa persona të tjerë që kanë lidhje direkte apo indirekt me këtë ngjarje të rëndë.