Marrëveshja për kufijtë/ Avramopulous: Shqipëria shumë afër BE, mirëpres vettingun në polici

99
Shumë optimist për të ardhmen e Shqipërisë së afërmi në BE është shfaqur Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në BE Dimitris Avramopulous. Ai është takuar sot me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe më pas kanë dhënë një deklaratë për mediat ku kanë njoftuar për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme mes Shqipërisë dhe BE-së.
Bëhet fjalë për një marrëveshje për menaxhimin dhe kontrollin e kufijve nga FRONTEX, si një memorandum mirëkuptimi që ka të bëjë me luftën kundër drogës. Xhafaj tha se ka informuar komisionerin Avramopulous për punën e bërë nga qeveria dhe policia e Shtetit në luftën kundër krimit, duke u shprehur se i ka konfirmuar angazhimin që Shqipëria të mos jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë drogë.
Nga ana tjetër Avramopulous theksoi se Shqipëria ka bërë shumë progres në vitet e fundit dhe po afrohet gjithnjë e më shumë BE-së. Ai tha se mirëpret procesin e vettingut në Shqipëri.
Ministri Xhafaj: Jam shumë i lumtur dhe për raportin shumë miqësor të krijuar mes nesh. Vizita vjen në një moment shumë të rëndësishëm për vendin. Komisioneri është një mbështetës aktiv ndaj aspiratës së shqiptarëve për integrimin. Duhet t’i jemi mirënjohës për përkrahjen dhe mbështetjen ndaj këtij projekti. Avramopoulus vjen në Tiranë edhe një moment të rëndësishëm për policinë e Shtetit. Vlerësoj angazhimin dhe ndihmesën që ai po jep për thellimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen në fushën e sigurisë. E informova për rezultatet e punës sonë në këto pak muaj pas takimit tonë të fundit në Bruksel. Konfirmova angazhimin që Shqipëria nuk do jetë më në hartën e vendeve të kultivimit të kanabisit. E informova për rezultatet inkurajuese të operacionit ‘Forca e ligjit’. Dëshiroj t’ju bëj të njohur faktin se ne sot konkluduam siglimin e marrëveshjes me Frontex dhe rojeve kufitare e detare, që do të kontribuojë për menaxhimin e emigracionit të parregullt. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në menaxhimin e kufijve. Mundësi e mirë si për ne ashtu dhe për vendet e rajonit ku do të aplikohet.
Komisioneri Avramopulous: Jam shumë i lumtur që gjendem në Tiranë, që jam rikthyer në Shqipëri. Është një vend që e kam fort për zemër. Kam qenë në Shqipëri dhe shumë herë të tjera dhe më duhet të them që kam parë këtë ecuri dhe progres të madh që ka bërë Shqipëria vitet e fundit. Ndaj do ta filloj fjalën time duke thënë që uroj që shumë shpejt Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane. Patëm një takim shumë miqësor, konstruktiv dhe produktiv me ministrin Xhafaj. Dëshiroj ta falënderoj për mikpritjen dhe do kisha shumë dëshirë të qëndroja më gjatë kështu që ndoshta do rikthehem së shpejti.
Të dashur miq, Shqipëria është pjesë e familjes europiane, historikisht, gjeografikisht. Në kontekstin e kohës ku jetojmë duke marrë parasysh elementët gjeo-politikë ne përballemi të gjithë me të njëjtat sfida. Ne ndajmë një histori të përbashkët dhe e ardhmja jonë mund të jetë e përbashkët.
Ju ndoshta e mbani mend që ishte javën e shkuar, kur KE lancoi strategjinë për Ballkanin Perëndimor, një axhendë ambicioze. Shqipëria ka në fakt një dritare historike, një shans historik për ta lidhur në mënyrë të fortë historinë e saj dhe të ardhmen me BE-në.
Kujtojmë se si e ka parë bota Shqipërinë ndoshta edhe para pak vitesh. Sot jam i impresionuar, më ka lënë shumë mbresa arritjet në drejtësi dhe çështjet e brendshme. Në veçanti dëshiroj të falënderoj autoritetet shqiptare për punën e shpejtë që kanë bërë për të arritur mbështetjen për marrëveshjen për menaxhimin e kufijve. Kjo marrëveshje ajo që do të bëjë si fillim do të lejojë ardhjen në Shqipëri të një ekipi të rojës bregdetare europiane. Siglimi i kësaj marrëveshje shënon dhe fundin e negociatave. Marrëveshja do të nënshkruhet plotësisht në një datë tjetër. Kjo marrëveshje do të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të emigracionit të parregullt në interes të përbashkët, si të Shqipërisë ashtu edhe të BE-së. Kjo është marrëveshja e parë që është sigluar dhe përfunduar, dhe do na shërbejë si model për të ardhmen për marrëveshje të tjera me vende si Serbia apo Mali i Zi. Më duhet të theksoj faktin që ne sot kemi nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi që ka të bëjë me luftën kundër drogës. Shqipëria në të ardhmen do të ketë mundësi të ketë akses në fondet që kanë të bëjnë me politikat kundër drogës. Kam kënaqësinë të them që ne tashmë do të kemi mundësinë që do të mbështesim ato iniciativa në luftën tonë të përbashkët kundër drogës. Ashtu si edhe me çështjen e terrorizmit, rrjetet e drogës nuk i njohin kufijtë. Këto përpjekje mund të bëhen efikase vetëm nëse ne bashkëpunojmë….
Mirëpres procesin e vettingut në polici. Kemi pasur vërtetë progres këto kohë. Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë BE-së. Në sytë e mi, si mik i Shqipërisë është edhe kjo strategji kombëtare që ka ky komb kaq i çmuar. Perspektiva europiane e Shqipërisë do të bëjë të mundur stabilitetin dhe një përmirësim të standardeve për qytetarët shqiptarë. Në të njëjtën kohë Shqipëria do jetë më aktive në këtë rajon si një partnere e fortë dhe një anëtare e ardhshme e familjes europiane. BE do të mbështesë Shqipërinë për të përgatitur terrenin dhe për të përmbushur detyrimet e saj, si dhe për të hapur derën dhe rrugën drejt të ardhmes së saj europiane. Siguroj Xhafajn dhe qeverinë, partitë politike dhe qytetarët jam i sigurt se nëj ditë do ta gëzojmë këtë moment dhe ai moment është që Shqipëria do të jetë në krahët dhe zemrën e BE-së.