Mali i Zi, kapen 250 kg kokainë nga Ekuadori, me destinacion Shqipërinë

435
Sigal

Kompania shqiptare, me qendër në Fier, pronare një grua. Dyshohet për mbështetje biznesi nga dy deputetë

Një sasi rekord kokaine, 250 kg, është zbuluar dhe sekuestruar, në portin Bar të Malit të Zi, e cila kishte si destinacion Shqipërinë. Bëhet fjalë për 250 kilogramë kokainë e cilësisë së lartë, që do vinte në Shqipëri, e fshehur në kutitë e bananeve.

OPERACIONI NË MAL TË ZI

Sipas një konferencë për shtyp nga drejtori i Policisë Kufitare në portin Bar në Tivar, u shpreh se, ngarkesa u sekuestrua gjatë një kontrolli rutinë në këtë port dhe ishte dërguar nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë. Duke përdorur një skaner, oficerët e policisë doganore kanë zbuluar kokainën. Anija në të cilën transportohej droga ishte me flamur italian dhe transportonte kontenierë në emër të kompanisë shqiptare “Rrapo”. Burime për “Telegraf” konfirmuan se, kjo kompani, në pronësi të një gruaje, Nazike Rrapo, është me qendër në Fier, ku ka dhe zyrat, e dyshohet që në biznesin e regjistruar të saj, të jetë ndihmuar nga dy deputetë të këtij qarku. Lënda narkotike me vlerë miliona euro ishte fshehur brenda në ngarkesën e deklaruar si banane nga porti i origjinës në Eukador. Vladan Jokoviç, drejtori i Doganave të Malit të Zi tha se, “kokaina me vlerën e 12.5 milionë eurove është kapur të mërkurën e 4 qershorit në jug të Portit Bar, i njohur si pikë transit për drogën nga Amerika e Jugut drejt Europës. Anija ishte e ngarkuar me banane nga Eukadori drejt Shqipërisë. Kokaina u gjet në një dhomë bunker që ishte ndërtuar apostafat poshtë kontenierit të anijes e cila ishte e ngarkuar me banane”, tha Jokoviç duke e përshkruar si ngarkesa më e madhe që është kapur ndonjëherë. Droga ishte paketuar në 223 pako. “Dërguesi i mallit është kompania “Vimtcorp” nga Ekuador, ndërsa kompania që do të merrte mallin është kompania Rrapo nga Shqipëria”. Sipas regjistrit zyrtar të Shqipërisë, Rrapo është një kompani e regjistruar në mars të vitit 2013 nga Nazike Rrapaj. Kompania u krijua për të importuar fruta dhe sipas regjistrit kjo është dërgesa e saj të parë. Ajo që dihet është se bananet kishin si destinacion Shqipërinë, ndërsa ende nuk saktësohet, se ku do të shpërndahej kokaina e pastër pasi të mbërrinte në Shqipëri. Bëhet me dije se dosja do t’i kalojë Prokurorisë për të vijuar më tej me hetimet. Siç dihet tashmë edhe Mali i Zi, është nën presionin e perëndimit për të luftuar trafikun e drogës, me qëllim për të çuar përpara integrimin drejt BE-së.

MEDIET E HUAJA

Kapja e drogës, ka qenë dje në qendër të lajmeve e emetimeve të agjencive të huaja, përfshi “Corriere della Sera”, e cila publikoi një reportazh për trafikun e drogës nga ajri: Alarmi i ri, Adriatiku. Sipas saj, numërohen 70 pista për uljen e avionëve të vegjël në Veneto, 30 në Friuli, 80 në Lombardi dhe 80 të tjera në Piemonte, pa llogaritur këtu pistat private në pronat private.

“Nga Shqipëria transportohet marijuanë dhe hashash që prodhohen në sasi të mëdha në vend dhe heroinë që blihet nga Turqia. Malli futet në valixhe dhe çanta për t’u ngarkuar më pas në avionë të vegjël. Nga janari deri në prill të këtij viti sipas burimeve të policisë shqiptare në Itali kanë mbërritur dhe janë sekuestruar 9.730 kilogramë marijuanë”,-thuhen në reportazh. “Disa ditë më parë i është dhënë dhe masa e arrestit në Shqipëri Xhorxho Riformatos, 58 vjeç, nga Luino, i cili bëri një ulje emergjente me avionin e tij Piper në një plazh rreth 80 kilometra larg Tiranës. Në këtë rast u zbuluan 460 kilogramë marijuanë që akuza këmbëngul se i përkasin pilotit italian. Teknikët po kontrollojnë telefonin celular dhe Ipadin e tij për të nxjerrë emra, numra dhe kontakte”,- shkruhet më tej.