Makineria i rrjep kokën, shteti fsheh krimin makabër

492
Katër ditë më parë, në redaksinë e gazetës “Telegraf” erdhi një informacion, që denonconte aksidentin dhe skandalin makabër e tronditës, që lidhet me një krim të rëndë të deformimit fizik të një vajze të re, të punësuar ilegalisht në këtë biznes, të detyruara prej hallit ekonomik (varfërisë ekstreme), të ndodhur në një firmë private në rrethin e Elbasanit. Bëhet fjalë, për një firmë që prej 16 vitesh ushtron aktivitet në këtë zonë, por që nuk zbaton asnjë parametër të sigurisë teknike në punë, që nuk zbaton asnjë detyrim real ligjor të pagesave të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për numrin e punonjësve faktik që shfrytëzon, që punon me 2-3 e 4 bilance duke fshehur treguesit real të kostos së prodhimit, të volumit të prodhimit, të import-eksportit të lëndëve të para, të pagave reale që u jep punonjësve si vlerë dhe numër punonjësish, të tatim-taksave, të volumit të produktit që prodhon në Elbasan e që eksporton po me letra fiktive, madje duke përfituar edhe miliarda lekë rimbursim TVSH me letra false e me blerje-shitje fiktive, të cilat i “kalkulon një ish drejtor pazarxhi tatimesh qarku me nofkën “Xhimi” (XH.V.) dhe një ish-drejtor “kalimtar” (6 mujor) tatimesh me nofkën “Muçi” (M.H.) i cili kishte ngujuar e nuk publikonte “letrat e zeza” të evazionit fiskal kësaj firme edhe pas kërkesës që i bëri gazeta “Telegraf”! 
Po ndalemi tek denoncimi i ardhur në redaksinë e gazetës, në të cilin ndër të tjera thuhet: “… Një punonjëse (skllave) nga një fshat në periferi të Elbasanit, me inicialet O. K, ka pësuar një aksident të rëndë gjatë punës në makineritë e një firme private, ku gjatë punës makineria primitive pa asnjë parametër teknik i ka kapur flokët dhe i ka “rrjepur” kokën vajzës së re e cila detyrohej të punonte në atë makineri pa asnjë kualifikim dhe pa asnjë instruktim prej presionit se e bosët e firmës e largonin nga puna, siç kanë vepruar dhe veprojnë me shumë vajza të reja të cilat i shfrytëzojnë barbarisht në punë me pluhura mbytës deri kancerogjen, me mbetje teknologjike e lëndë të para kimike që çlirojnë e rrezatim radioaktiv, në makineri me rrezikshmëri për jetën dhe në mjedise pune pa asnjë kusht teknik për sigurinë e jetës dhe shëndetit. Në këtë firmë kanë ndodhur shpesh aksidente fizike prej pasigurisë së makinerive dhe janë sëmurur shumë gra e vajza prej mungesës së kushteve të punës”. 
Sipas letrës së ardhur në redaksi, punëtorja O. K humbi flokët e kapur nga makineria me rrezik jetën dhe me deformim të përjetshëm fizik, për shkak se makineritë e kësaj firme nuk janë të siguruara teknikisht. Ky aksident me pasojë plagosjen e rëndë të punëtores (skllaves) O.K. është mbajtur i fshehtë nga “bosët” e firmës të cilët për të “qepur” gojën e familjarëve të vajzës së aksidentuar kanë hedhur disa qindarka në “xhepat e duhur”. Nuk e dimë nëse ky aksident është regjistruar në “letrat” e policisë lokale, por dimë faktin, që kësaj firme, pronarëve të saj “trima”, apo të punësuarve drejtues prodhimi e drejtues teknik të firmës, nuk u është prekur as “fija e flokut”. Shteti, jo vetëm ka heshtur, por edhe ka fshehur këtë aksident. Gazeta “Telegraf” është në përfundim të procesit të investigimit të këtij aksidenti që u mbyll me skandal-Pazar mes bosëve të firmës dhe horrave të shtetit, duke grumbulluar edhe fakte të tjera skandalesh nga aktiviteti i kësaj firme e cila për abuzimet me detyrimet ndaj shtetit, ka si mburojë drejtues të institucioneve lokale e qendrore të shtetit, fakte të cilat gazeta “Telegraf”, do t’i publikoj të plota, madje edhe me “historik punësh” nga përtej kufirit detar…
Sigal