Lushnja, historia e një qyteti nga lashtësia deri në ditën tona

1444

Dokumenti më i hershëm historik i zbuluar, e citon Lushnjën si qendër banimi që i përket shek. XV

 Qyteti i Lushnjës shtrihet në lindje të fushës së Myzeqesë, buzë kodrave të Darsisë. Territori i tij zë një sipërfaqe prej 37 km². Bashkia numëron një popullsi prej rreth 60000 banorë. Qyteti është i ndarë në tetë lagje,të organizuara në pesë rajone. Objektet e pushtetit vendor janë të vendosura në sheshin qendror, po këtu janë edhe institucionet kulturore-artistike, historike, etj.. Si Kinoteatri, Muzeu Historik, Biblioteka Publike, Qendra Kulturore e Fëmijëve, etj.. Kinoteatri mban emrin e këngëtares së madhe Vaçe Zela. Në qytetin e Lushnjës ka një rrjet të tërë institucionesh arsimore dhe kërkimore kombëtare. Instituti i Kërkimeve Bujqësore, tashmë me emërtim të ri, zhvillon prej dekadash një veprimtari të gjerë kërkimore-shkencore me dobi kombëtare. Katër vite më parë, aty u çel filiali i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili tani numëron qindra studentë. Gjithashtu, këtu gjendet edhe shkolla e mesme bujqësore profesionale kombëtare, e cila është çelur dekada më parë. Përgjatë bulevardit kryesor, shtrihet lulishtja e madhe e qytetit. Sipërfaqe të gjelbra ka edhe në brendësi të lagjeve. Vitet e fundit, rrugët e qytetit janë më të gjelbëruara me pemë dekorative të llojeve të ndryshme. Lushnja ka një pozitë të favorshme gjeografike. Këtu kryqëzohen arteriet më të rëndësishme të komunikimit ndërqytetës. Autostrada veri-jug kalon pranë qytetit. Nga këtu nis edhe rruga më e rëndësishme e lindjes ,Berat -Skrapar e më tej. Gjithashtu nëpërmjet rrugëve dytësore, Lushnja ka shkurtuar distancën me Elbasanin dhe qytetet e tjera të këtij qarku. Çfarë thonë gojëdhënat për themelimin e Lushnjës?

Sipas dëshmive “qyteti fillimisht qe ngulur në kodrat e Virovës, në afërsi të Golemit. Më vonë, thuhet se prej këtu banorët u vendosën afër përroit”. Një tjetër gojëdhënë shumë e përhapur, tregon për “Hanin e Salushes” si burim nga rrjedh dhe emri i qytetit Lushnjës. Për Salushen, mendohet që ajo të ishte e veja e Pashait ose skllavja e tij, ose disa thonë vajza e tij. Ndonëse ekzistencën e hanit të saj të famshëm diku në tokat pranë Institutit e kemi të provuar historikisht dhe të mbështetur në foto dhe në hartën e vjetër të qytetit, duket se rregullat gjuhësore nuk e lejojnë një shndërrim të emrit Salushe -Lushnjë. Natyrisht, debati mbetet i hapur. Përpos kësaj ekziston një tjetër gojëdhëne, e cila duket se është më e pranueshme nga këndvështrimi historik dhe logjika gjuhësore. Sipas saj, “qyteti fillimisht ka qenë i vendosur në kodrën e Vainit pranë Kishës së Madhe të Kuqe”. Provat arkeologjike tregojnë për gjurmët e një Bazilike, e cila sipas specialistëve mund të jetë ndërtuar midis shekujve IV-VI m. Kr dhe që mund t’i ketë shërbyer një komuniteti të vogël banorësh që jetonin në këtu. Për ta shtrirë kërkimin tonë po listojmë disa prej toponimeve të vjetra të qytetit.

TOPONIMET

E nisim me toponimin “lagja Teqe” (sot lagja “Kadri Qystri”). Sipas gojëdhënave të ruajtura, mendohet që në këtë lagje ka qenë ngritur një teqe e vogël. Tregojnë se dikur, një person, besimtar i njohur, mjaft i pasur, rrugës nga Elbasani për në Fier, vendos të pushojë në një han të Lushnjës. Fatkeqësisht, në momentin kur po përpiqej të zbriste nga kali, rrëzohet dhe vdes. Për të përjetësuar kujtimin e tij, të afërmit ngritën një teqe të vogël. Banoret i kanë të njohura gjurmët e saj edhe sot. Lagja “Topallti”, (sot “Loni Dhamo”). Lagja “Derexhikë” (atje ku sot është rruga “Shëtitorja e Palmave”). Toponimi “Mehmet Pasha”, diku afër lagjes Xhevdet Nepravishta. Lagja “Stan” (sot lagja “Kongresi”). Këtë emër e ka marrë nga çobanët (vllehët), që u vendosën në këtë kodër rreth 250 vjet më parë. Kodra “Vain” toponim me origjinë të errët. Kodra e “Harburi” ose “Harbori”, në veriperëndim të qytetit. Toponimi “Mulliri i Beut” përdoret për vendin, ku ngrihej ish-depoja e duhanit, shumë pranë varrezave publike. “Kroi i Kongresit” ka qenë një çezmë e ndërtuar në vitin 1924 në lagjen “Kongresi i Lushnjës”. “Përroi i Çapokut”, i cili kalon përmes qytetit. Gjendet dhe si mikrotoponim “Çapoku”. Ndoshta që këtu dhe emri i përroit. “Përroi i Krakullit”, atje ku kalonte ky përrua, sot ka banorë që mbajnë mbiemrin “Krakulli”. Toponimi “Kodra e Kalifas” ose “Kalifaja” përdoret për të treguar vendin ku dikur ngrihej një han.

Po gjetjet arkeologjike çfarë thonë?

Objekti më i hershëm i zbuluar në territorin e qytetit daton në periudhën Eneolitike. Por ky nuk është i vetmi, të tjerë objekte arkeologjikë janë zbuluara afërsisht në të njëjtin vend dhe i përkasin një periudhe më të vonshme se periudha në fjalë. Në vitin 1989 në lagjen “Kadri Qystri”, në pronësinë e një pensionisti, gjatë hapjes së një kanali vaditës, u zbuluan gjurmë të kulturës materiale. Pas kontrollit të bërë nga arkeologët përveç enëve qeramike u bë evidentimi i një varrezë të lashtë. Sipas teknikës së ndërtimit varret ishin të thjesht pa ndonjë konstruksion të veçantë. Varrimi bëhej me vendosje trupi në tokë. Nga sondazhet që u bënë, u pa se inventari i materialit arkeologjik ishte i pasur. U mblodhën fragmente të shumta enësh, si funde skifos, kupash, amforash etj.. Këtu u gjetën dhe objekte të plota, dy lekit. Gjetja tjetër është një enë e tipit Gutus (ushqyes për fëmijë) i cili ruhet pothuajse i plotë. Gjithashtu aty u zbulua edhe një terakotë burri e stilit arkaik. Sipas arkeologut P. Çuko, mendohet se varret i përkasin shek IV-III p. Kr, ndërsa materiali arkeologjik tregon se është përdorur qeramika e importuar nga Apolonia. Ai arriti në përfundim se varreza i përket “një vendbanimi të hapur ilir”. Po e vazhdojmë me të tjera dëshmi. Pak më distancë prej këtu në vendin e quajtur “Kodra e Kalifas” në vitin 1988 u zbuluan të tjerë varre antike. Varret për nga mënyra e ndërtimit ishin të tipit të thjeshtë e të zakonshëm, me dysheme të shtruara me tjegulla të tipit solenë (të shtrira), të mbuluar po me tjegulla në formë çatie…Nga studimi rezultoi se këto varre i përkasin periudhës së Antikitetit Vonë. Sakaq në vitin 2003 Instituti i Arkeologjisë me qendër në Tiranë, organizoi një sërvej në kodrën me toponimin “Vain” në Lushnjë. Gjatë kërkimeve aty u zbuluan gjurmët e një bazilike të hershme si dhe mjaft fragmente enësh prej qeramike. Specialistët mendojnë se kjo bazilikë duhet të jetë ndërtuar midis shekujve IV – VI m. Kr. Në Tab I fig 5, 6 janë ilustruar objektet që i përkasin kësaj periudhe ato janë gjetur në afërsi të Bazilikës. Përfundimisht, faktet tregojnë se në Lushnjë ka pasur një bazilikë të hershme. Pra kemi një “vend lutjesh”.

Po burimet historike çfarë tregojnë?

Dokumenti më i hershëm historik i zbuluar deri më tani, e citon Lushnjën si qendër banimi që i përket shek. XV. Por që me siguri Lushnja duhet të jetë themeluar më herët se kaq. Po i rikthehemi edhe një herë dokumentit osman i cili daton në vitin 1431, vit në të cilin u bë dhe regjistrimi i dokumentuar i popullsisё sё Myzeqesё. Myzeqeja në atë kohë kishte 33 fshatra dhe 58 familje ndërsa “Lusnia”(Lushnja) qё nё kёtё periudhё ishte njё katund i vogël, na del me 15 shtёpi dhe rreth 100 banorë. Ajo përmendet përsëri me të njëjtin emër, në një tjetër defter osman që mban datën më 1583. Mësojmë nga burimet historike se Lushnja në vitin 1679 kishte 17 hane dhe me një popullsi afërsisht 150 banorë. Fillimi i vitit 1701 e gjen Lushnjën me një popullsi të dyfishuar, por ajo ruante akoma karakterin e një fshati. Midis viteve 1728-1738 mendohet te jete ndërtuar kisha Shën e Premtes. Në këtë periudhë Lushnja përmendet si Çiflig. Disa vite më vonë (1741), Sanxhaku i Vlorës përfshiu të gjithë shqiptarët e jugut nga Shkumbini deri në Delvinë. Kazaja e Myzeqesë varej nga ky sanxhak. Trojet e Lushnjës dhe të rrethinave të saj, u thirrën Nahija e Myzeqesë, qendër e së cilës u bë fshati Karbunarë. Në vitin 1744 Lushnja paraqitet si katund me 57 shtëpi dhe rreth 500 banorë, ndërsa Karbunara na paraqitet me 47 shtëpi. Në këtë periudhë Lushnja morri pamjen e qyteze të vogël ajo kishte një kishë dhe dy rrugë të shtruara me kalldrëm. Afërsisht në vitin 1770, me nismën dhe mbështetjen e gruas së Kurt Pashës, Hanko Pasha, ngrihet xhamia e parë në Lushnje, e cila ka ekzistuar deri në vitin 1967. Lushnja përgjatë gjithë shekullit XVIII fillon gradualisht të zgjerohet dhe të marrë pamjen e një qendre të rëndësishme banimi dhe tregtie. Në vitin 1830, Lushnja citohet për herë të parë në Fjalorët enciklopedik evropian. Atu thuhet se “Lusnia” ka 200 shtëpi dhe është e banuar si nga myslimanët dhe të krishterët. Pra në vetëm një shekull kemi një trefishim të popullsisë e cila mund të shkonte afërsisht në 1800 banorë. “Qyteza” kishte rrugë me kalldrëm, një kishë, një xhami, një teqe, dhe dy puse uji për nevojat e vendasve. Numëronte katër varreza të vogla “publike” të vendosur anës kodrave. Në vitin 1848 në Lushnjë erdhi poeti dhe piktori i njohur Edëart Lear i cili qendroi këtu për disa orë, për t’u nisur përsëri drejt Beratit. Ai e përshkruan Lushnjën (Lusnia) si një fshat të pajisur me hane për udhëtarët. Në vitin 1860 në Lushnjë u hap shkolla e parë, ku përveç mësimit të gjuhës greke, mësohej shqip në mënyrë të fshehtë. Shkolla në fjale ka qenë ngrihej afër kishës Shën e Premte. Mësuesit e parë ishin Ndin dhe Gori Ziu, babë e bir, nga Gorreja. Po në vitet 1860-1870 në Lushnje u hap dhe shkolla Mejtepe (shkolle fillore fetare osmane), ndërsa në Karbunare ishte e hapur një tjetër shkollë mejtepe pak vite më parë se ajo e Lushnjës.

Pas vitit 1870 Lushnja filloj te dallohej si qendër dhe te marre pamjen e një qyteti. Në këtë periudhë mendohet të jetë ndërtuar teqja e “Baba Skënderit”. Në vitin 1894-1896 Qendra e Kazasë së Myzeqesë (nënprefektura), kaloi nga Karbunara në Lushnje.

Po Lushnja e hershme ku shtrihej si territor?

Sipas dëshmive arkeologjike dhe historike, del se Lushnja fillimisht duhet të ketë qenë vendosur në kodrën e “Vainit”, me shtrirje urbane që nis nga Kisha ortodokse deri në brendësi të lagjes “Kongresi”. Një dëshmi tjetër për këtë rast është dhe gjetja e gjurmëve të tubacionit të vjetër prej qeramike, që natyrisht ka shërbyer për të sjellë ujë në “fshat”. Tubacioni i përket periudhës mesjetare.

 Niko Ferro & Muharrem Sharka