Luftë në qendër të Elbasanit, policia fshihet pas banakut

534
Qyteti i Elbasanit është tmerruar dje sërish nga lufta, e cila nuk ka kursyer as qendrën e qytetit dhe as lëvizjen e tepruar të qytetarëve, e cila në orën 10:20 të paradites ishte në pikun e saj. Vetëm 12 metra larg ndërtesës së Prokurorisë e Gjykatës, territori i së cilës është i mbushur me zyra noterësh dhe avokatësh dhe vetëm 40 metra larg Drejtorisë së Policisë, banditët nuk kursyen dhe nuk pyetën fare për pasojat e plumbave, duke shkrehur plot 30 plumba kallashnikovi mbi një automjet me dy persona brenda. Qytetarët e Elbasanit, janë zënë në panik, ata sërish janë gjendur të pambrojtur, të vetmuar dhe në mëshirën e plumbave nga banditët, që lëvizin lirisht me armë brenda makinave duke mos u kontrolluar, por vetëm duke u përshëndetur me përulësi nga policia. Një situatë frike, një situatë e cila i ka detyruar banorët e Elbasanit, të futen brenda shtëpive dhe të mos dalin pas breshërive të kallashnikovit, e cila u ka kujtuar atyre vitin e zi të 1997. Ngjarja e rëndë, e cila fatmirësisht u mbyll me plagosjen e dy personave, një prej të cilave ishte punonjëse policie e gjendur ndoshta rastësisht aty, ka treguar edhe njëherë se policia në Elbasan mbetet inekzistente. Ajo mbetet e paaftë, e molepsur me rrjetet e dyshimta të trafikut dhe krimit, duke fshirë nga kujtesa e saj misionin e vendosjes së rendit dhe sigurisë për qytetarët. Degradimi i rendit dhe sigurisë ndaj qytetarëve, mbetet plaga më e madhe e hapur dhe e pambyllur sidomos përgjatë këtyre 3 viteve të fundit.
Si ndodhi ngjarja e rëndë
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje paradite rreth orës 10:20 në rrugën ku gjenden Prokuroria, Gjykata, Policia, Drejtoria e Shëndetit Publik, mbi 70 zyra noterësh dhe avokatësh që u shërbejnë qytetarëve, dhe dy shkolla 9 vjeçare. Dy persona kanë mbetur të plagosur nga një atentat me armë zjarri, ku një prej të plagosurve është një efektive policie, e cila ka marrë dy plumba, një në këmbë dhe një në kraharor. Ngjarja ka ndodhur në Elbasan, pranë objektit ku ndodhen organet e drejtësisë, policia dhe dy shkollat “Q. Guranjaku” dhe “S. Harri”. Plumbat kanë kapur dy persona, një prej të cilëve efektive policie. Si dhe B. M., por objektivi ishte tjetër person. Ndërsa efektivja e policisë që u plagos ishte kalimtare dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen. Ajo është nisur drejt spitalit të Tiranës për shkak të plagëve të marra. Autori ka qëlluar me një breshëri kallashnikovi dhe nga të shtënat mjetit ford AA 234 FR, i është thyer xhami i pasmë. Arma e krimit u gjet pak minuta me pas në një rrugicë pranë vendit të ngjarjes. Objektivi i atentatit dhe i plagosuri ishin duke udhëtuar me një automjet, ndërsa autorët ishin me një mjet tjetër, të cilët pasi ngjarjes u larguan menjëherë. Ngjarja ka shkaktuar edhe panik në kalimtarët, pasi zona është shumë e populluar. Burimet bëjnë të ditur se Florenc Çapja ka qenë aty kur kanë ndodhur të shtënat. Disa prej plumbave kanë bërë rikoshetë duke goditur dhe godinat pranë, por fatmirësisht pa shkaktuar të plagosur të tjera. F.Ç. ka mbetur i plagosur dhe në masakrën e 3 shkurtit, ku u vranë 3 persona në një lokal. Në Elbasan, konflikti vijon prej 11 vitesh, dhe deri tani ka shkaktuar 11 viktima. Fare thatë policia u shpreh se “akoma nga ne nuk dihen rrethanat e ngjarjes, kemi nisur hetimet”. 
Sigal