Luftë me policinë arrestohet “Vrasësi me pagesë”

423
Grupi i Operacioneve Speciale në Policinë e Shkodrës arrestoi 21-vjeçarin Osman Malja, i cili ishte në pritë për të vrarë një person. Detajet e operacionit dhe shkëmbimi i zjarrit ku mbeti i plagosur lehtë autori. Dyshohet se ishte vrasës me pagesë Parandalohet në minutën e fundit një vrasje e mirëmenduar dhe autori shkëmben zjarr me punonjësit e policisë. Një 21-vjeçar nga qyteti i Shkodrës ishte nisur për të vrarë, por mbeti vetë i plagosur teksa nuk ngurroi të qëllojë mbi policinë. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur lehtë i dyshuari si vrasës me pagesë, ndërsa fatmirësisht, asnjë nga efektivët e policisë që ndodheshin në aksion nuk morën lëndime. Ngjarja e rëndë, por e mbyllur me sukses nga ana e policisë, u regjistrua mesditën e djeshme rreth orës 14:00, në afërsi të Spitalit të Shkodrës. Sipas policisë, shtetasi Osman Malja, 21 vjeç, u arrestua në kushtet e flagrancës gjatë momentit që po bëhej gati të qëllonte drejt një personi, edhe ky banues në Shkodër.Mësohet se strukturat e rendit kishin kohë që e mbanin në vëzhgim, pasi kishin të dhëna se i riu ishte porositur për një vrasje. “Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e autorit, forcat e policisë janë përplasur me armë me të dhe për pasojë ka mbetur i plagosur, jashtë rrezikut për jetën Osman Malja”. Kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Shkodrës. Ndërsa burimet konfidenciale shprehen se në aksion për ndalimin e tij morën pjesë efektivë të Grupit të Operacioneve Speciale dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit janë dëmtuar edhe dy automjete që gjendeshin aty pranë, por fatmirësisht, asnjë qytetar nuk mbeti i plagosur, paçka se kishte lëvizje të shumta në ato momente.
Arrestimi
Punonjësit e policisë të veshur civil e ndoqën për një kohë të gjatë Maljan, por në një distancë disi të largët, me qëllim që të mos dyshonte. Të dhënat ishin të sakta se në çantën e lidhur mirë në trupin e motorit ai kishte armën e mbushur ‘Kallashnikov’ dhe për këtë arsye operacioni paraqiste rrezikshmëri të lartë. Teksa 21-vjeçari ndaloi dhe qetësisht po priste pak metra larg objektivit, agjentët e GOS iu afruan Maljas dhe pasi nxorën armët thirrën: “Policia, ndalo, shtrihu në tokë!”. Në ato momente i riu mundi të nxirrte shpejt armën dhe nisi të qëllonte duke u pozicionuar pas një automjeti. Gjithashtu edhe efektivët e policisë të shumtë në numër shkëmbyen zjarr dhe për pasojë Malja mbeti i plagosur. Edhe pse kishte marrë një plumb nga armët e policisë, ai ishte në gjendje të mirë dhe sërish qëllonte, por më pas nuk bëri rezistencë dhe e hodhi armën. Menjëherë u prangos dhe dërgua në spital për mjekimet e nevojshme dhe është jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbi i shkaktoi vetëm plagë të vogla sipërfaqësore.
Hetimet
Dyshohet se objektivi ishte në lokal, aty pranë dhe sapo ishte ulur. Malja e ka ndjekur me motor objektivin e tij dhe po priste momentin që të çohej dhe në një kthinë të vogël të kryente edhe ekzekutimin. Sipas të dhënave të policisë, ndërhyrja në kohë shmangu një vrasje, ndërsa autori është person me rrezikshmëri të lartë. Ai ka qenë edhe më parë i proceduar për akuzën e prodhimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike dhe vjedhje. Ndërkohë, sipas policisë dyshohet se kemi të bëjmë me një vrasje të porositur kundrejt pagesës. Tashmë po hetohet edhe personi i mundshëm që mund të ketë paguar për vrasjen që mbeti në tentativë. Gjithashtu, objektivi i këtij atentati pritet të hedhë dritë për problemet që ka pasur. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma tip “Kallashnikov” e autorit që do kryente krimin, si dhe një motor.
Sigal