Lihet i lirë Gazmend Tahiraj, i vëllai i tij Azemi merr përsipër akuzat

42
Lihet i lirë shqiptari Gazmend Tahiraj, pronari i restorantit “La lanterna” në Venecia. Vëllai i tij Azemi ka marrë përsipër të gjitha akuzat.
Prokuroria italiane ka hequr urdhërin e arrestit me burg ndaj shqiptarit Gazmed Tahiraj, pronarit të Picerisë “La Lanterna ” në qytetin e Venecias i akuzuar pak ditë më parë për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika e Jugut drejt Italisë, për llogari të një celule të mafias kalabareze Ndragheta.
Operacioni i policisë italiane solli sekuestrimin në flagrancë të 130 kg kokainë të sapo mbërritur nga Amerika e Jugut për llogari të një shoqërie import eksporti.
Bashkë me Gazmend Tahiraj u arrestua vëllai i tij Azem Tahiraj e 7 persona të tjerë. Në momentin e arrestimit në restorantin e shqiptarit u sekuestruan 1 kg kokainë e më shumë se 1 kg marijuanë.
Arsyeja e heqjes së urdhërit të arrestit me burg ndaj Gazmend Tahiraj ka qenë dëshmia e vëllait të tij Azem Tahiraj i cili ka rrëfyer se lënda narkotike kishte qënë në zotërim të tij dhe se i vëllai nuk ishte në dijeni të ekzistencës së saj në ambientet e brendshme të lokalit.
Hetimet e këtij operacioni kanë zgjatur rreth dy vjet ku policia financiare italiane ka dokumentuar rreth 400 kg kokainë të mbërritur nga Kolumbia e Kostarika.
Suksesi i këtij operacioni është frut dhe i aktivitetit të një agjenti të filtruar të policisë financiare i cili kishte hyrë në ortakari me një nga personat e arrestuar, si pronarë të përbashkët të shoqërisë që importonte fruta nga Amerika e Jugut e bashkë me to dhe drogë.
Lënda narkotike nga Amerika Latine bënte një ndalesë në Spanjë, më pas në Livorno e çdoganohej në portin e Venecias.
30 % e lëndës narkotike mbahej në Venecia e pjesa tjetër ishte e destinuar për të furnizuar tregun e territorit të Milanos e rrethinat e saj.