Lihen në burg 4 të arrestuarit për terrorizëm

726
Sigal

TIRANË- Gjykata komunikoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të pandehurit: Astrit Tola, Verdi Morava, Orion Reçi dhe Edmond Balla. Që në orët e para të mëngjesit, për të shmangur incidente të mundshme, Policia e Tiranës mori edhe sot një plan me masa të rrepta sigurie. Dhjetëra forca të repartit RENEA, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, kanë rrethuar gjithë hapësirën ndërtesës së Krimeve të Rënda. Dy imamët e vetëshpallur të xhamive të Unazës së Re dhe asaj të Mëzezit, si dhe dy besimtarët myslimanë, të dyshuar si pjesëtarë të një ‘celule’ terroriste, ishin të parët që u njohën me masën e sigurisë “arrest me burg” në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Genc (Abdurrahim) Balla, i vetëshpallur si imam i xhamisë së Unzës së Re, i cili konsiderohet si përgjegjësi kryesor për rekrutimin, grumbullimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri, i tha gjykatësit Sandër Simoni, se nuk donte avokat. “Avokat kam allahun”, ka thënë i dyshuari për terrorizëm duke mohuar çdo akuzë. Genci Balla, së bashku me imamin e vetëshpallur të xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa dhe dy besimtarët Zeqir Imeri dhe Fadil Myslimani, do të qëndrojnë në qeli, pasi dyshohet se kanë rekrutuar dhe dërguar në Siri afro 50 persona, mes të cilëve fëmijë e gra. Përgjatë dhjetë muajve që i kanë mbajtur nën vëzhgim të dyshuarit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka siguruar prova të forta fajësie ndaj tyre, që nga thirrjet që bënin për xhihad luftarak dhe deri tek dërgimi i fëmijëve në Siri.