Lezhë dhe Tepelenë, sekuestrohen 2.2 ton hashash

5
2.2 ton hashash janë sekuestruar gjatë orëve të natës në Lezhë dhe në Tepelenë. Policia e Shtetit bën me dije se nuk ka të arrestuar, por vetëm një të shpallur në kërkim.
Gjatë operacioni të parë, “Adriatik” janë gjetur 1 ton e 450 kg kanabis. Një gomone është konstatuar nga policia kufitare, por nuk ka pasur persona në të apo përreth saj. Gjatë krehjes së zonës në vendin e quajtur Godull u gjet e fshehur në shkurrë edhe sasia e madhe e drogës, e gatshme për trafikim. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në operacionin e dytë, “Dhëmbeli” u sekuestrua një sasi prej 762 kg kanabis. Droga u gjet në shtëpinë e G. D., 40 vjeç i cili është shpallur në kërkim.
Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në tavanin e banesës dhe në një kasolle në afërsi të banesës, janë gjetur 55 thasë plastmasi me ngjyrë të zezë, ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sattiva.
Lënda narkotike u asgjësua në vend me anë të djegies dhe një pjesë e saj u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.