Lefter Koka: Monitorimi dhjetëvjeçar i pyjeve shqiptare

512
Në fakt mendova, se kjo temë nuk do të politizohej sot. Ministria e Mjedisit ka më shumë se 2 vite që po përpiqet të menaxhojë pasojat e një dëmi ekstrem në fondin pyjor të Shqipërisë dhe në fakt të dëgjosh akuza mbase edhe në mënyrë të moderuar deputetë të opozitës , të cilët do i konsideroja edhe ata shkaktarë të kësaj situate që kemi trashëguar sot; të gjykojnë apo paragjykojnë Qeverinë Shqiptare nga kjo foltore më vjen habi. Pyetja që në fakt i kam bërë vetes në këto 2 vite e gjysmë ka qënë pikërisht përse nuk është bërë asgjë në plot 23 vite, por këtë çështje nuk kam kërkuar asnjëherë ta përdor politikisht, por kam kërkuar të jem modest dhe ndoshta deri diku të mendoj se ka pasur thjesht qëllim qokash elektorale, për të mbledhur vota ndaj edhe e kanë bërë, ndërkohë një mentalitet i papranueshëm ky, por kam menduar të mos i paragjykoj dhe ndoshta edhe të mos i fajësoj. Faktet janë të pakontestueshme! Në vitin 2013 gjetëm një situatë ku 60% e pyjeve ishin në administrim të komunave dhe të bashkive, ku pjesa më e mirë e tyre, ju të gjithë e dini, ishin komunarë që banonin në Tiranë pavarësisht se administronin mijëra hektarë pyje, ku kishin mësuar madje edhe si ta anashkalonin ligjin, duke edhe i djegur pyjet për ta tjetërsuar pronësinë e kësaj sipërfaqe 1 vit më pas. Gjetëm leje të dhëna për 435 Hec-e të cilët nuk kishin asnjë marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për të zhdëmtuar atë sipërfaqe pyjore, që do të shpyllëzonin. Por ajo që është shumë më qesharake është që shoh sot nga kjo foltore, deputetët e opozitës të dalin me 2 leje në dorë. Mendo nëse do të kishin në dorë me 2700 leje shfrytëzimi pyjesh (2005-2013) që janë dhënë në vetëm 8 vite, a do të mjaftonte kjo sallë, për tu demonstruar në këtë foltore nga ta? 

Sepse më duhet të rithem e të risjell në vëmendjen tuaj dhe të opinionit publik, se Ministria e Mjedisit në 2 vite (2014 – 2015) ka dhënë vetëm 24 leje shfrytëzimi pyjesh nga të cilat 9 prej tyre janë në pyje private, kur deri para vitit 2013 nuk ekzistonte dhënia e lejeve në pyjet private, nuk ekzistonte as terminologjia prerje e paligjshme dhe për këtë mund t’ju jap edhe shifra, të cilat janë më kokëforte se diskutimet që ne mund të bëjmë. Ulëm ndjeshëm m3 për lejet e eksportit të dhëna. Nëse gjatë viteve 2010-2013 janë dhënë leje eksporti për 364,000 m3 lëndë drusore, për vitet 2014-2015 janë dhënë një total vetëm për 24,000 m3 (15 herë më pak) ndërkohe që për vitin 2015 jane dhënë leje vetëm për 3,000 m3. Në 2010-2013 janë eksportuar mbi 18,000 ton qymyr druri gjatë viteve 2014-2015 jane dhënë 0 leje eksporti për qymyr druri . 1 ton qymur druri i kthyer në metra kub është të paktën 10 fish më i lartë. Unë nuk arrij dot ta perceptoj dhe në fakt pyes veten, se si ka qenë e mundur që një adminsitratë publike që ka në vit rreth 230 ditë pune, ka arritur të japë mesatarisht 3 leje shfrytëzim pyjesh në ditë. Dhe më duhet të them se përballë këtij fakti një parlament i tërë, që heshtte. Dhe nëse me këto tre leje në ditë do të dilnin çdo ditë me sharra e sëpata në terren, e kuptoni që nga 2700 leje, sikur nga 100 pemë të prisnin seicili nga ta, ne sot do kishim pikërisht këtë situatë që deputetët e parashtruan shumë saktë dhe qartë dhe në fakt ky duhet të ishte shqetësim kombëtar dhe jo një shqetësim individual i imi apo i ministrisë që unë drejtoj. Sot sipas statistikave të monitorimit nga Agjensia Kombëtare Evropiane kemi 7 % (2002-2012) më pak sipërfaqe mbulim toke. Sigurisht që ka disa arsye dhe motive,: spostimet demografike të ndodhura, popullata ka lënë një banesë dhe duke bërë një banesë tjetër në zonë urbane sigurisht që janë dhënë edhe shumë leje guroresh dhe hidrocentralesh dhe sot kemi një sipërfaqe tashmë të zhveshur. Nga ana tjetër po sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, ka rreth 14 % më pak sipërfaqe pyjore (2002- 2012)., pra kjo katastrofë duhet të tregohemi të ndershëm, nuk erdhi në këto dy vite e gjysmë të kësaj qeverisjeje. Një sërë masash, të cilat kërkuam t’i marrim, nuk u përqendruan për të gjetur se cilët ishin shkaktarët, por u përqëndruam në pasojat katastrofike, që kërkonin një ndërhyrje të menjëherëshme nga ana e Ministrisë së Mjedisit. 

Ndaj ajo që bëmë ishte që në Shkurt të 2014-ës krijimuam Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe të Pyjeve, dhe më duhet t’ju kujtoj një vendim qeverie ky i marrë qysh në vitin 2005-2006 dhe i pazbatuar. C’bëri ky Inspektoriat? Sigurisht më duhet të ndalem pak e të them, se ne sot ndihemi shumë të lumtur se kemi bërë pjesë të këtij diskutimi edhe deputetë pavarësisht se kujt force politike ata i përkasin , dhe kjo në fakt duhet të ishte bërë ndër vite që të mos vinim në këtë situatë ku jemi sot. Sepse ka qenë pikërisht ky parlament, që 80% të sipërfaqes pyjore në zonën e Ersekës të Qarkut Korcës, e ka kaluar në pronësinë e privatit. Nuk e dimë i cilit ka qenë ky vullnet dhe kjo dashamirësi e ndjeshmëri ndaj pyjeve, për t’ia njohur dhe për t’ia kthyer privatit. Dhe sot po diskutohet këtu nga deputetë për tre trungje në Shelegur. Atje në atë zonë janë zhdukur mijëra hektarë dhe është heshtur, megjithatë duke mos kërkuar të ndalem , aty ku nuk jam ndalur kurrë në 2 vjet e gjysmë dhe ta politizoj këtë situatë, unë mendoj se të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për ta implementuar këtë moratorium. Sigurisht, që kemi qenë në diskutime me të gjithë palët e interesuara e të gjithë aktorët, nëse do të jetë një moratorium strikt për të mos u lënë mundësi as banorëve të cilët jetojnë në zona të thella të vendit që të mos kenë dru zjarri apo të jepnim zgjidhje alternative. Ky ka qënë një vendim shumë i vështirë. Ajo që menduam ishte që të jenë vetë bashkitë të cilat të evidentojnë nevojat e popullatës për dru zjarri, dhe të jenë po ato të cilat tua shesin këtyre banorëve me një kosto sociale, pa qëllim fitimi, si dhe me ligj t’i kalojnë këto të ardhura të gjeneruara nga shitjet për pyllëzime apo ripyllëzime në zona të degraduara. Gjithashtu, paralelisht do të rrisim kontrollet rigoroze të inspektimit, pra nga qeveria qendrore dhe për këtë kemi parashikuar paralelisht një investim me disa kamera termike të vendosura në akset kryesore të rrugëve ku mund të bëhet transportimi i lëndës drusore, duke rritur kështu edhe transparencën sepse qendrat e kontrollit do të vendosen si në sallat e Ministrisë së Brendshme po ashtu edhe në sallat e Inpsketoriatit të Mjedisit. Të ruash sot mjedisin kërkohet një angazhim më kompleks. Nëse kthehemi pas në këtë sallë, në media apo nga opinioni publik është folur gati aspak për cështjet mjedisore. Ndërkaq pyjet e mjedisit e them me kënaqësi sot janë temë e ditës. Në fakt ky ishte edhe qëllimi ynë: të mos fshiheshim dhe të mos ecnim në rrugën ku është ecur më parë. 

Do të ishte shumë më e lehtë për ne, që të qëndronim në pozicione komode, ashtu siç ndodhte në periudhën e mëparshme, për ta parë lejen e shfrytëzimit të pyjeve si një qokë për zgjedhjet e ardhshme. Për të marrë pesë vota më shumë në një fshat apo zona të cakuara. Por menduam dhe jemi të bindur në atë çfarë kemi vendosur uroj të gjithë së bashku, ta mbrojmë mjedisin, duke mos e lënë Shqipërinë që të evidentohet nga lartësitë ku qytetarët thonë “Mbërritëm në territorin shqiptar sepse është terren i zhveshur”. Unë besoj se çdokush nga ne, ndihet në fakt i turpëruar kur i ndodh ky fenomen, ku Shqipërinë nëse nuk e njeh e mund ta dallosh lehtësisht nga lartësia, vetëm për faktin se është një territor i zhveshur nga pyjet e gjelbërimi. 10 vite që po kërkojmë në këtë moratorium, nuk janë shumë për të patur një vend të gjelbëruar, kërkohen 10 vjet rigjenerim, 10 vite investim dhe impenjim serioz të shtetit, por edhe të vetë këtij parlamenti. Ndaj unë mendoj do të ishte e udhës që duhet ta përkrahë ky parlament dhe në këtë çështje madhore për të ardhmen e vendit të mos kemi ndasi politike. Rezultatet e këtij vendimi do jenë të prekshme pas një dekade, ndaj duke mos dashur të zgjatem më shumë do falenderoj për diskutimet konstruktive në Komisionet e këtij parlamenti si nga pozita ashtu edhe nga opozita, do falenderoj shumë deputetë që e kanë përkrahur këtë nismë e reformë madhore për zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve apo dhe ata të tjerë që kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke i mirëkuptuar edhe shqetësimet për zona të ndryshme. E të rikthehem atje ku e ndala më parë tek Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve. Duhet të kuptoni që një inspektori sot në Shqipëri i duhet të inspektojë 15.000 ha në një terren kaq të vështirë e të thyer, se kemi sekuestruar rreth 6300 m3 lëndë drusore, se kemi marrë mbi 1000 masa administrative , se është një shumë prej 72 milionë lekë gjobash në vetëm 2 vite, se kemi kallëzuar pranë organeve të drejtësisë mbi 70 raste për ndjekje penale, të gjitha këto janë një sërë masash të një pune intensive dhe unë besoj se është punë për tu lavdëruar. Investuam në 2 vite rreth 800 milionë lekë në pyllëzime e ripyllëzime.

 Dhe erdhëm në këtë vendim ekstrem, siç moratoriumi konsiderohet me të drejtë, pasi këto masa dhe të tjera që nuk po i përmend, nuk ishin mjaftueshëm, edhe pse përkushtimi dhe dedikimi jonë ishte i plotë tu shpëtonim ato, faktet janë se pyjet shqiptare janë ende në raport të zhdrejtë dhe gjenerojnë shumë më pak se nevojat për shfrytëzim. Dhe me këtë situatë jam shumë i ndershëm kur e them këtë, Shqipëria shumë shpejt do të ngelej e zhveshur, e këto pasoja vendi ynë ka filluar t’i ndjejë. Sot shohim jo vetëm zonat e veriut të përmbyten, por edhe zona në jugun e vendit. Një nga shkaktarët kryesorë për këtë situatë janë padyshim edhe mungesa e theksuar e sipërfaqeve pyjore, me zona të tëra të degraduara të prera e djegura qëllimisht. Pyjet nuk kanë thjesht efekt dekorativ apo efektin e shëndetit, pyjet janë një nga asetet më të rëndësishme për ekonominë e vendit e duhen konsideruar nga ne të gjithë si të tillë. Në vendet më të zhvilluara në ekonominë pyjore, pyjet llogariten të jenë kontribues në ekonominë e vendit sa prodhimi i brendshëm bruto, sepse dhurojnë elementë të domosdoshëm në sektorë jetik të vendit. Ndaj në fund të fjalës sime ju ftoj të gjithëve së bashku ta votojmë këtë nisëm moratorium 10 vjecar të pyjeve dhe po të gjithë së bashku të punojmë së bashku për ta implementuar.
Fjala e plotë Ministrit të Mjedisit z. Lefter Koka, në seancën parlamentare për P/ligjin e Moratoriumit 10 vjeçar të Pyjeve
Sigal