Lazarat: Kapet vrasësi i policit në Bilisht më 1999

383
Mbi 100 persona të dënuar janë fshehur në Lazarat për t’i shpëtuar ndjekjes nga policia. Këtë fakt e konfirmojnë burime nga uniformat blu, pas ndalimit nga Policia e Gjirokastrës të një personi të shpallur në kërkim policor nga policia e Korçës. Lavdimir Ajçe, 64 vjeç lindur e banues në Bitinckë të Devollit në Korçë, i dënuar me 25 vite burg ishte shpallur në kërkim pas një vrasjeje të kryer ndaj një efektivi të policisë në Bilisht të Korçës në vitin 1999.

Sipas burimeve zyrtare që vijnë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, personi i shpallur në kërkim ishte punësuar si bari tek një shtetas nga Lazarati, ndërsa prej 4 muajsh strehohej në stanin që ndodhej në vendin e quajtur Pesjak në fushat e fshatit “Asim Zeneli”. Burimet policore konfirmojnë faktin se ardhja e tij në Gjirokastër ka qenë pikërisht për t’u shpëtuar uniformave blu pas shpalljes në kërkim nga policia, ndërsa prej 16 vitesh ky person ka qenë në arrati të vazhdueshme. I çuditshëm është fakti se gjatë kohës kur Lavdimir Ajçe ka jetuar në Sarandë është ndaluar disa herë prej policisë lokale, por pa mundur të identifikohet si person në kërkim, ndërsa po kaq i vështirë ka qenë identifikimi i tij edhe prej policisë së Gjirokastrës, që ka mundur të kryejë identifikimin e personit me anë të fotografive dhe syve të pandryshueshëm në foto, kundrejt pamjes totale fizike, krejtësisht të ndryshuar.

Deri në qershorin e vitit 2014, kur Policia e Shtetit ndërmori të parin superaksion policor në Lazarat, fshati i shumëpërfolur ka qenë prej vitesh bazë e elementeve kriminalë. Prania e tyre në fshat ishte kthyer në problem edhe për vetë banorët që deklaronin se në rrugët e fshatit shkëmbeheshin me persona të panjohur. Shtëpi të marra me qira ishin kthyer në kapanone ku strehoheshin 20 apo 30 persona, mes të cilëve edhe shumë punëtorë të hashashit. Gjatë superoperacionit të qershorit 2014 disa prej tyre u kapën nga policia, ndërsa një pjesë e mirë e të kërkuarve nga ligji arritën të largohen sërish.
Sigal