LAJM I FUNDIT/ Identifikohet autori i vrasjes së dyfishtë në Lushnje (EMRI)

Policia dhe Prokuroria e Lushnjës kanë identifikuar dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes së dyfishtë dje në qytet. Bëhet fjalë për Laert Haxhiun, i cili akuzohet edhe për plagosjen një vit më parë të nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti si dhe për shtetasin me iniciale O.B.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se është shpallur në kërkim Laert Haxhiu, si personi i dyshuar që ka qëlluar dhe vrarë me kallashnikov Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin.

Në atentat mbeti i plagosur rëndë Marius Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodheshin dy viktimat si dhe një kalimtar.

Viktimat e djeshme Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurti). Xhulio Shkurti mbeti i plagosur me 25 shtator të vitit 2016 së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu 25 vjeç në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e sotme.

Për ngjarjen e vitit 2016 ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu, 25 vjeç. Ky i fundit ka vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009. Haxhiu doli nga burgu për vrasjen në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në qershor të vitit 2015 për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”.