Laboratori i drogës në Durrës, zbulohen përgjimet e grupit

459
Biznesmenët e njohur në fushën e ndërtimit, lokaleve apo dhe karburanteve, të cilët, kohëve të fundit, kishin nisur të tregtonin edhe drogë, kanë dalë ditën e djeshme para Gjykatës. Kanë dëgjuar çfarë iu ka rrëfyer prokurori i çështjes, Gentian Tërnova dhe janë kthyer në qelitë e tjera, jo tek ato ku kanë kaluar ditët e pas arrestimit. Prokurori i ka treguar gjykatës gjithçka ka mundur të kryej grupi i vëzhgimit dhe i përgjimit, ndërsa 7 ditë me radhë është ndjekur personi nën hetim Ajet Sulaj, një prej emrave të njohur të botës së biznesit. Vëzhguesi ka fiksuar takimet, lëvizjet dhe personat me të cilët është takuar “objekti”, ndërkohë që janë vënë nën përgjim 13 numra telefonash, ku shtatë prej tyre iu përkasin biznesmenëve Ajet Sulaj dhe Bejto Kotaj. Në materialin e kërkesës për gjykim që ka lexuar ditën e djeshme Tërnova është fiksuar fakti se të gjithë personat kishin lidhje miqësie me njëri-tjetrin, ndërsa saktësohet se tre palë të përfshira në trafik kanë përdorur edhe djemtë e tyre.
Nga materiali i prokurorisë dalin në pah disa emra të pa hasur gjatë materialeve referuese, ndërsa në listën e procesverbaleve janë edhe emra personash që nuk dihet se çfarë lidhjesh kanë me grupin dhe as se çfarë pozicion kanë në trafikun e drogës. Sms-ja që ka vënë në lëvizje policinë mësohet se është kapur në njërin nga numrat e Ajet Sulajt ndërsa mësohet se është dërguar nga personi i shpallur në kërkim që rezulton të jetë edhe i zoti i vilës që shërbente si laborator i kanabisit, Valter Pashollari, i cili i tregon sipërmarrësit Sulaj se 30 pako ishin të gatshme për rrugë. 
Sigal