Kush është Mikel Shallari, i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Artan Cuku

442
Pas afro dy muajsh nga vrasja e Artan Cukut, policia ka vënë në pranga një të dyshuar si personi që e ekzekutoi atë në derën e shtëpisë.
Mikel Sh. 24 –vjeç u kap në Tiranë, në orët e para të mëngjesit. Ai u ndalua në makinën e tij ku gjendej nën shoqërinë e një vajze dhe një mikut të tij, pranë “Pallatit me Shigjeta” në afërsi të rrugës së Kavajës.
Mikel Sh. nuk bëri rezistencë ndërsa agjentët e policisë kriminale i vunë prangat duke i komunikuar se po shoqërohej për një ngjarje të ndodhur disa javë më parë.
Bashkë me të u shoqëruan edhe miqtë me të cilët ishte në makinë.
Në polici iu tha se ishte i dyshuar për një vrasje, atë të ish –zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Artan Cukut.
Policia tha se ADN e tij ka ngjashmëri me ADN –në e vrasësit, por ende nuk është provuar nëse përputhet tërësisht.
Gjurmë të ADN –së u u morën në një bluze të gjetur pranë vendit të ngjarjes, e cila dyshohet se mbahej nga vrasësi i Cukut dhe që u hodh prej tij në një kosh mbeturinash.
Bashkë me bluzën u gjetën edhe rroba të tjera që ngjajnë me ato që mbante vrasësi që ishte regjistruar nga disa kamera sigurie. Analiza të mëtejshme po kryhen mbi provat dhe ADN –në e të dyshuarit.
Atij, gjurmë të ADN –së i janë marrë në mënyrë të fshehtë nga agjetët e antikrimit.
Pas shoqërimit në polici, gjurmët do të krahasohen në mënyrë zyrtare. 24 –vjeçari është banues në Tiranë. Ai njihet si person problematik dhe ka disa precedentë penalë. Më parë ai është ndaluar për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe për përdorim të tyre.
Nuk është e qartë cila është lidhja e tij me ish –drejtorin e policisë së Vlorës. Por dyshohet se ai mund të jetë paguar për ta ekzekutuar.
Mikel Sh. po merret në pyetje. Deri tani, policia është treguar diskrete mbi të dhënat që ai po u jep prokurorëve. 
Sigal