Kunati e rreh me shkop, polici falsifikon procesverbalin: U rrëzua vetë

459
E kishte rrahur me shkop të trashë në të gjithë pjesët e trupi, përfshi dhe në kokë duke i lënë hematoma të shumta, e megjithatë në aktin e përpiluar nga oficeri i policisë ishte shkruar se pas konfliktit verbal me kunatin në ikje e sipër është rrëzuar dhe ka dëmtuar gjurin.
Ky është falsifikimi që është bërë në policinë e Fierit, pasi më 17 shkurt 2015, B.GJ. kallëzoi para oficerit të Policinë e Fierit, Arben Deda shtetasin Asqeri Gjodeshi që është kunati i saj.
Hetimet nisën nga prokuroria pasi gruaja bëri ankimimin në Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Administrative kundër oficerit të policisë Arben Deda.
Zbulohet se “ka fallsifikuar deklarimet e saj kundër kunatit, i cili kishte ushtruar dhunë ndaj saj, nga e cila kishte pasoja të rënda dhe të dukshme” informon prokuroria e Fierit
“Në datë 17.02.2015, shtetasja B.GJ. kallëzon para oficerit të Policinë e Fierit, Arben Deda shtetasin Asqeri Gjodeshi që është kunati i saj, se, për shkak të konflikteve familjare, e ka goditur rëndë me shkop të trashë në të gjithë pjesët e trupit, përfshirë edhe në kokë, duke i lënë hematoma të shumta.
Ndërkohë, në aktin e përpiluar nga oficeri i policisë Deda për këtë rast, shkruhet se “…e dëmtuara deklaron se ka pasur konflikt verbal me kunatin e saj dhe, në ikje e sipër është rrëzuar duke dëmtuar gjurin…”.
Në aktin e përpiluar nga oficeri i policisë janë shmangur me dashje të dhënat reale, si edhe nuk janë shënuar deklarimet e plota të të dëmtuarës, duke shfrytëzuar ndoshta faktin e nivelit të ulët arsimor të saj” sqaron prokuroria
Pas kallëzimit, e dëmtuara B.GJ., ka kryer ekspertizën mjeko-ligjore, në bazë të të cilës evidentohen qartë shenjat e dhunës në pjesë të ndryshme të trupit dhe të kokës.
Në këto kushte, ndaj oficerit Arben Deda, në fillim të hetimeve, është vendosur nga gjykata masa “pezullim nga detyra”. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit e akuzon oficerin Deda për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”. Ndërsa shtetasin Astrit Gjojdeshi për veprën penale të “dhunës në familje”.
Sigal