Kubikë, edhe në hapësirat mes pemëve në pyje

535
Shprehja e kohës së komunizmit “T’i qepemi maleve dhe t’i kthejmë ato në fusha pjellore”, duket se ka kohë që është kthyer në “T’i qepemi maleve dhe t’i mbjellim me hashash”. Një çmenduri e padëgjuar ndonjëherë po ndodh pothuajse në të gjithë vendin, në krahina fushore, kodrinore dhe ato malore. E ndërsa shqiptarët menduan se shpëtuan nga Lazarati, muajt e fundit ata po dëgjojnë pothuajse çdo ditë lajme të kobshme, atë të mbjelljes masive të tokave në çdo cep me hashash. Edhe ajo që mendohej se nuk do të ndodhte, duket se ka ndodhur veç tokave djerr në fusha, edhe në ato pak sipërfaqe në rrëzë maleve. Edhe në malësitë e Librazhdit, ndër më të harruarat nga qeveria, “fermerët” e hashashit nuk janë kursyer dhe kanë nisur prej kohësh mbushjen edhe të hapësirave të vogla, madje edhe në pyjet e maleve, me kubikë, duke u afruar edhe shërbime të tilla si vaditje, dhe roje .

 Burimet nga disa fshatra të Librazhdit thanë për “Telegraf” se “ka disa muaj që mungesa e punës efikase të uniformave blu, dhe atyre të strukturave të tjera të shtetit, ka sjellë rritjen e sipërfaqeve me hashash edhe në zonat malore, veç atyre që ndodhen buzë akseve nacionale dhe buzë Shkumbinit, po u sulen dhe nuk po lenë vende bosh edhe në mes pyjesh pa mbjellë, ngarkojnë edhe ujë me mushka për vaditje, një uri e madhe për para sepse situata ekonomike në ato zona mbetet përtej skamjes dhe mjerimit”. Shumica e fshatrave në zonat malore të Librazhdit jetojnë prej vitesh në kushte shumë të vështira, të gjendur pa ndihmën e shtetit, ndërkohë që afro 80 për qind e të rinjve janë në emigracion dhe pothuajse nuk kthehen fare në vendbanimet e tyre prej vitesh të shkretuara. Të gjendur të vetmuar, pa mbështetje dhe mes varfërisë, duket se rruga e vetme mes kaosit dhe rrumpallës institucionale për ata banorë, mbetet mbjellja dhe shitja e hashashit, për të fituar para për mbijetesën. Por kjo mënyrë veç “kënaqësive” për të fituar ndonjë lek, duket se ka edhe rreziqet e veta, sepse ata shumë shpejt bien në rrjetën dhe grackën e trafikantëve, të cilët i trajtojnë më pas si skllevër . Mbjellja e hashashit edhe në malësinë e Librazhdit, nuk është diçka e veçuar, sepse edhe më herët zonat rreth tyre kanë qenë shpesh objekt i policisë. Por muajt e fundit uniformat blu, duket se e kanë të pamundur të ndalin epideminë e hashashit, e cila po fundos efikasitetin e strukturave të shtetit, dhe ka molepsur edhe mjaft drejtues dhe policë në trafikimin e saj. 

Disa banorë të fshatrave malore të Librazhdit thanë se “nuk ka ditë që djemtë dhe çobanët të mos shohin si mbillet, si vaditet dhe si ruhet hashashi, madje deri rrëzë maleve dhe thellë në zona ku nuk kalon as dhia e egër, por nuk flasin sepse kanë frikë dhe njihemi, dhe se ata që e mbjellin janë shumë fukarenj, duke shpresuar se mund të marrin ndonjë lek nga shitja, deri këtu e katandisi kjo qeveri edhe zonën tonë”. Por tek i pyet “përse nuk merreni me bulmet” ata të përgjigjen se “bulmeti na myket dhe nuk na e ble njeri, ndaj na duket harxhim i kotë, bëjmë sa për veten tonë”. Logjika me të cilën kjo qeveri e mësoi edhe fshatarin e zonave fushore dhe malore, duke mos i krijuar kushte për jetesë, duke mos i dërguar as mjekun dhe as mësuesin atje ku ata jetojnë, i transformoi ata në “fermerë” hashashi. Kjo është arritja më fatkeqe e kësaj qeverie, e cila nuk dihet se çfarë do t’u thotë në 2017, veç qytetarëve, edhe fshatarëve, të cilëve u premtoi shumë dhe i ka lënë të vetmuar dhe pa përkrahje. E ndërsa në qytete, qeveritarët do të mburren me “Rilindjen e Qyteteve”, duket se në fshatra ata do të dalin me sloganin “Rilindëm hashashin edhe në male”.
Sigal