Kthehet në fenomen vetëvrasja për faturat e energjisë

502
Sigal

Lezhë vetëvritet babi invalid i 4 fëmijëve, shkak debia ndaj OSHEE

Pamundësia për të shlyer faturën e lartë të energjisë elektrike, e ka çuar drejt aktit të vetëvrasjes një 52- vjeçar nga Lezha. Viktima është Gjovalin Lazri, babai i 4 fëmijëve nga fshati Tale i Lezhës i cili i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. Familja Lazri, ndodhej në errësirë prej dy javësh për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve ndaj OSHEE-së. Fatura e energjisë elektrike së bashku më debitë dhe kamatëvonesat e mbledhura ndër vite, i kishin ardhur në një shumë prej 700 mijë lekësh të reja, shumë kjo e cila ishte e papërballueshme për 52-vjeçarin, invalid prej 10 vitesh. Viktima Gjovalin Lazri e ka pasur të pamundur që të përballojë këtë fakt dhe sipas familjarëve kishte paralajmëruar edhe më parë se zgjidhja e vetme ishte duke i dhënë fund jetës. Ndërkohë, familja Lazri jetonte në një barakë të vogël në varfëri, përveç një llambe, ata nuk kishin asnjë pajisje tjetër që mund të harxhonte energji elektrike.

REAGIMI I OSHEE-së

Menjëherë pas publikimit të shkakut i cili e  çoi drejt  vetëflijimit 52-vjeçarin Gjovalin Lazrit,  ka reaguar edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas OSHEE-së  është bërë i gjithë verifikimi në lidhje me personin që ka vrarë veten në Lezhë dhe ka rezultuar se ai ka një detyrim të papaguar ndaj OSHEE në një shumë prej 733614.43 lekë. Sipas OSHEE, Lazri nuk ka paguar asnjë faturë të energjisë elektrike që prej 1 janarit të vitit 2007. “Faturohet rregullisht me matës të energjisë elektrike dhe faturat e fundit i ka pasur në nivel konsumi normal si periudhë dimri, konkretisht: Shkurt 2015 – 7122 Lekë,janar 2015 – 11513 Lekë dhe dhjetor 2014 – 8007 Lekë” – shkruan OSHEE në reagimin e saj.

Ky është rasti i dytë i vetëvrasjes për shkak të pamundësisë për të paguar faturat e kripura të energjisë elektrike. Me 21 shkurt të këtij viti një 58- vjeçar nga Vlora, babai i 3 vajzave, i dha fund jetës duke u vetëvrarë për shkak se nuk arrinte të shlyente detyrimet ndaj OSHEE-së.