Kryeplaku shkon të denoncojë vjedhjet në fshat, kur kthehet i kishin vjedhur shtëpinë

415
Sigal

SARANDË/ Në dy vjet qindra vjedhje në Komunën Lukovë, asnjë i shoqëruar në komisariat, qoftë edhe si i dyshuar

Bregdeti ose më saktë Komuna e Lukovës, prej dy vitesh, jeton nën presionin dhe realitetin e vjedhjeve të banesave, dhunës fizike ndaj të moshuarve, prerjes së pemëve, vjedhjes së kafshëve si blegtorale, ashtu edhe të punës, deri sa para pak kohësh nuk u kursye as komuna me vjedhjen e arkës financiare të saj. Nuk jemi të mendimit se nuk do ndodhin, e as të analizës pse ndodhin, por fenomeni shqetësues është që për të gjitha rastet, policia nuk ka zbardhur ngjarjen dhe as nuk është vënë në kërkim të autorëve. Në dy vjet, asnjë i ndaluar apo i shoqëruar në komisariat, qoftë edhe si i dyshuar.

Kryeplaku

Dhe më i prekur ndër fshatrat është fshati Piqeras, ku dhuna dhe vjedhjet, pothuaj janë të përditshme. Dhe hajdutët nuk kursyen as kryeplakun e fshatit, Spiro Gjezo, i cili tregon ekskluzivisht për “Telegraf” se, preh e hajdutëve ka rënë edhe ai vetë. Gjezo shprehet: “Vajta për të kërkuar ndihmë në Komisariatin e Sarandës për të gjitha ato që ndodhin në Piqeras, por kur u ktheva, gjeta shtëpinë time të vjedhur dhe të bastisur. Kanë kaluar ditë, por edhe bastisja e banesës sime, ka fatin e rasteve të shumta të ndodhura, jo vetëm në fshat, por edhe në zonë. Asnjë autor, as i kapur, as i gjetur, as i dyshuar. Policia bën sehirxheshën. Por nuk do ta lëmë situatën në këto përmasa”, shprehet kryeplaku i Piqerasit, Spiro Gjezo. Por ajo që ka revoltuar më shumë banorët e këtij fshati është fakti se Piqerasi brenda 2 vjetësh ka rënë pre e vjedhjeve të pasurisë dhe banesave mbi qindra herë dhe askush nuk vihet në prangat e policisë, ndaj banorët kanë reaguar ashpër dhe kërkojnë të merren masa sigurie nga forcat e rendit dhe institucionet shtetërore përgjegjëse për sigurinë publike. Rasti i fundit në këtë fshat, u regjistrua në shtëpinë e kryeplakut. Kryeplaku shprehet se, për vite me radhë banorët e këtij fshati e të kësaj komune po përballen me një situatë shqetësuese, si vjedhja e banesave e shoqëruar edhe me dhunë fizike ndaj banorëve, që kryesisht janë të moshës së tretë. Dhe përveç kësaj në asnjë rast nuk ka të dyshuar dhe nuk është shoqëruar nga policia asnjë person, sepse të zbulohet autor i ngjarjes kjo është gjë shumë e madhe.