Kryeinspektorja Zana Xhuka rrezik shkarkimi nga akuzat e stafit të vet

81

Stafi i ILDKPKI padit penalisht Kryeinspektoren Zana Xhuka për shpërdorim detyre dhe vjedhje

Inspektoria e Përgjithshme e ILDKPKI, Zana Xhuka është kallëzuar penalisht nga stafi për shpërdorim detyre dhe vjedhje. Kallëzimi penal i ngritur ndaj Inspektores Xhuka i është drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Xhuka akuzohet për mospasje të arsimit të duhur dhe praktikës së duhur profesionale për të mbajtur pozicionin e Inspektores së Përgjithshme. “Arsimimi i saj i papërshtatshëm me detyrën aktuale dhe mospasja asnjë lidhje profesionale me ILDKPKI, ka sjellë bllokimin total të punës në institucionin tonë, paaftësi të plotë në kryerjen e detyrave që ngarkon ligji, falsifikime, shpërdorim të detyrës dhe vjedhje nga ana e Inspektores së Përgjithshme, që prej emërimit të saj e deri më sot,” thuhet në kallëzimin penal. Në fletën e kallëzimit penal të bërë nga stafi i ILDKPKI renditen një sërë shkeljesh të detajuara që pretendohet të jenë kryer nga Inspektorja e Përgjithshme si pushimi në kundërshtim me ligjin i punonjësve dhe vjedhje.  “Inspektorja e Përgjithshme ka larguar nga shërbimi civil Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtoren e Burimeve Njerëzore, Drejtoren Juridike në kundërshtim flagrant me ligjin, edhe pse gëzonin statusin e nëpunësit civil, për shkakun e vetëm se nuk pranuan të firmosnin urdhrat e saj të kundërligjshëm lidhur me administrimin e deklaratave të interesave private për subjekte të veçantë dhe përfitimin e padrejtë nga ana e saj të vlerave monetare dhe aseteve në ILDKPKI. Ka larguar nën presion nga shërbimi civil drejtoren e IT dhe emëron në këtë pozicion, në kundërshtim flagrant me ligjin për statusin e nëpunësit civil, pa konkurs, një njeri të ndjekur penalisht,” cilësohet në kallëzimin penal ndaj Zana Xhukës. Sipas këtij, dokumenti edhe pse KSHC dhe Zyra e Përmbarimit kanë urdhëruar rikthimin e punonjësve të shkarkuar në punë Inspektorja e Përgjithshme me dashje ka refuzuar zbatimin e këtij urdhri. Në kallëzimin penal Inspektorja Xhuka akuzohet se, ka refuzuar të firmosë raportet e Inspektorëve të Lartë, ku propozohen kallëzime penale dhe gjoba për zyrtarë me fshehje pasurie qindra mijë dollarë.  Ajo akuzohet se nuk ka kryer kontrollin aritmetik dhe logjik si dhe hetimin administrativ për konfliktin e interesave për rreth 1200 deklarata të mbartura nga viti 2012, etj..