KRONIKA E KRIMIT/ Grabitet dhe plagoset 77-vjeçarja në mes të Tiranës

693
Sigal

Arrestohen dy shtetas për falsifikim dokumentesh

Elbasan- Dy shtetas janë arrestuar dje në flagrancë ne Elbasan, pasi ndaj tyre rëndojnë akuzat e “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Burime të Policisë bëjnë të ditur se janë arrestuar në flagrancë 49-vjeçari Petrit Muça, pasi është kapur duke tregtuar cigare kontrabandë të markave të ndryshme. Arrestimi i tij u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Xhamlliku”, ku policia në cilësinë e provës materiale i sekuestroi këtij shtetasi rreth 200 steka cigaresh. Në vijim të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Gazmir Meta, 30 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Komuna Bradashesh-Elbasan. Ky shtetas një ditë më parë ka shkuar në një dyqan me artikuj ushqimore, për të blerë mall, ku ka përdorur 7000 lekë me prerje 500 lekëshe, të cilat ishin të falsifikuara.

Nuk i vendos frenat kamionit, vdes pasagjeri

Berat- Një pakujdesi e drejtuesit të mjetit i ka kushtuar jetën një 41-vjeçari.  Burime të policisë bëjnë të ditur se është bërë arrestimi i shtetasit, Nafi Zyko, 59 vjeç, lindur e banues në fshatin Gjerbës. Arrestimi i tij  është bërë për arsye se më datën 21.08.2012 në rrugën rurale automobilistike Back – Srtafick, konkretisht në vendin e quajture “Kthesa e Grabovës”, ka qenë duke drejtuar mjetin e tij të markës “Ifa” [kamion], me targa SK 1191 A, më pas ka ndaluar mjetin, por pa e siguruar zbret nga makina. Në këto momente mjeti lëviz i fikur mbrapsht dhe përfundon në humnerë, si rezultat i kësaj ngjarje humbet jetën shtetasi Luan Shima 41 vjeç, banues në fshatin Gjerbës Skrapar vetëm 30 kilometër larg qytetit pasi ishte pasagjer në këtë kamion.

Aksident në Librazhd, 3 të plagosur rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Përrenjas-Librazhd, si rrjedhojë e të cilit kanë ngelur të plagosur 3 persona. Sipas të dhënave paraprake, bëhet e ditur se të lënduarit janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Librazhdit për të marrë ndihmën e shpejtë. Nga ana e policisë njoftohet se shkak për aksidentin ka qenë humbja e kontrollit mbi mjetin nga ana e drejtuesit, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Humb kontrollin e motorit, vdes 25-vjeçari

Berat- Një 25-vjeçar ka humbur jetën, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Berat. Nga hetimet paraprake mësohet se viktima Ilir Hoxhallari po udhëtonte me motor, teksa papritur ka humbur kontrollin e mjetit, me të cilin udhëtonte duke u përplasur për vdekje me një shtyllë tensioni. Aksidenti ndodhi në rrugën Divizion-Uznovë.

 

Nuk pagoi borxhin, merret peng dhe rrihet për tre orë

Tiranë- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Allias të Tiranës. Një person është marrë peng nga dy të tjerë, për shkak të një borxhi të papaguar. Personi i marrë peng ishte Gentjan Arqile Lako, 30 vjeç. Ndërkohë që, pengmarrësit janë Gazmir Bajram Mango, 40 vjeç, banues në Mëzez dhe Pëllum Tush Gjoka, 33 vjeç. Pengëmarrja ka ndodhur në rrugën “Njazi Meka” në Allias. Autorët e kanë marrë peng 30-vjeçarin dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Pas njoftimit policia është vënë në lëvizje dhe ka arritur të çlirojë pengun. Një prej pengmarrësve, Gazmir Mango është arrestuar. Ndërsa Gjoka ka arritur t’i shpëtojë policisë.

Tropojë, humb jetën në galerinë e minierës një 21-vjeçar

Një 21- vjeçar ka humbur jetën duke rënë nën tensionin e energjisë elektrike, ndërsa ishte duke punuar në një galeri minerare në fshatin Kepenek të rrethit të Tropojës. Në galeri ka qenë shtetasi Artur Çela, 21 vjeç, nga fshati Helshan i rrethit të Hasit, ndërsa po punonte në një galeri minerare në fshatin Kepenek të rrethit të Tropojës për nxjerrjen e mineralit të kromit, ka rënë në tensionin e energjisë elektrike, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje kanë nisur hetimet për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Hetime po kryhen edhe për administratorin e kësaj galerie minerare, Zaim Sejdiu, 31 vjeç, nga Skënderaj i Kosovës, për akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Vetëm gjate vitit te kaluar në galeritë minerare të kromit të qarkut të Kukësit humbën jetën 11 persona.