Kriminelët veprojnë të lirë, sepse Policia e Shtetit është e paaftë dhe e inkriminuar

466
Sigal

Masakër në plazhin e Vlorës në kulmin e sezonit turistik, shënohen 3 të vdekur nga të shtëna kallashnikovi

Krimineli në mes të ditës masakron pushuesit në plazh

Një i ri ka hapur zjarr pasditen e djeshme në ambientet e një resorti privat në zonën e Kalasë pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, duke shkaktuar tre viktima mes tyre një pushuese femër, e cila ka mbetur e vdekur aksidentalisht. 3 viktimat  janë: Diana Ademi 53-vjeçe, Sokol Isufaj 34-vjeç dhe Serdi Bajlozi 20-vjeç. Autori pas aktit kriminal është larguar me makinë, ndërkohë mbetet mister objektivi i tij dhe rrethanat e krimit. Nga hetimet paraprake mësohet se viktima femër ka qenë pushuese jo objektiv i autorit, e cila ka humbur jetën tragjikisht nga plumbat kallashnikovit. Diana Ademi 53-vjeçe, mësohet se  ishte emigrante, e cila kishte ardhur për pushime në qytetin e Vlorës

Policia e shtetit e paaftë dhe e inkriminuar me botën e krimit

Autori i masakrës në plazhin e Ujit të Ftohtë në Vlorë, në mes të ditës, në prani të gjithë pushuesve, guxoi dhe qëlloi me automatik kundër pushuesve dhe nuk veproi si kamikaz, por si një vrasës profesionist. Kjo mund të shpjegohet për dy arsye të thjeshta. Kriminelët veprojnë të lirë, kudo, në çdo orë, sepse  e kanë  shumë të qartë se Policia e Shtetit është e paaftë profesionalisht që të përballojë krimin, e ca më pak, është e pazonja që ta parandalojë krimin. Dhe arsyeja e dytë, është se shumë herë vetë punonjësit e policisë janë të inkriminuar në botën e krimit. Si ka mundësi që vrasësi të ketë kohë, që pas masakrës në plazhin e Vlorës, të marrë makinën dhe të largohet pa u shqetësuar nga askush? Nuk ka asnjë polic në plazh, në orët ku pushuesit janë me qindra? Policia e Shtetit nuk ka asnjë plan operativ, se si mund të parandalojë dhe të përballojë krimin në plazh? Si ka mundësi që Policia e Shtetit “shqetësohet” dhe tregohet “aktive” që të terrorizojë punonjës dhe pushues në një lokal, meqë e urdhëron një kryetar komune, sikurse ndodhi në Ksamil, dhe nuk gjen dot asnjë polic në plazh dhe në gjithë rrugët e qytetit të Vlorës, edhe në ditët që turistët janë me mijëra? Kaq të lehtë e kanë kriminelët, që të bëjnë masakra në plazh, dhe policia të mos mund të ndërhyjë e të kapë kriminelët? Ngjarja e rëndë ka shkaktuar panik tek pushuesit e shumtë në këtë kulm sezoni turistik.

Dëshmia

Një pushues, dëshmitar i masakrës, ka rrëfyer se autori i krimit mendohet të jetë një djalë 20-vjeçar, i veshur me rroba plazhi. Autori është parë të zbresë shkallët e resortit të njohur në Vlorë me armën e fshehur nën bluzë dhe më pas ka marrë në shënjestër dy viktimat meshkuj. Autori ka bërë goditjen e parë, duke qëlluar 2 meshkujt dhe kur ka ulur armën plumbi ka prekur femrën aksidentalisht. Pas krimit, është larguar me vrap në daljen e resortit dhe ka qëlluar dhe një herë me armë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Sipas dëshmitarit nuk ka pasur konflikte gjatë ditës në këtë zonë.