Krimi trondit Tiranën

1427
Sigal

Tiranë, sulmohen me thikë për t’u grabitur, vdes 37-vjeçarja, plagoset e motra

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e djeshme rreth orës 19:07 minuta në kryeqytet. Disa gra të një familje janë sulmuar nga dy grabitës, njëri me kapele dhe tjetri me skafandër. Në tentativë për t’ju marrë bizhuteritë, më saktësisht varëset, grabitësit adoleshentë i kanë qëlluar ato me thika, pas rezistencës së tyre. Ngjarja e rëndë u shënua në një rrugë dytësore tek zona e ish- Fushës së Aviacionit, ndërsa mësohet se nga sulmi ka humbur jetën 37-vjeçarja Fatbardha Tafa dhe është plagosur motra e saj Lumturie Gjana. Të pranishëm në momentin e sulmit kanë qenë edhe fëmijët më të vegjël të viktimës, njëra prej tyre Valentina, e cila fillimisht u dyshua se mbeti e plagosur. Paniku dhe tmerri që kanë parë me sy është i papërshkrueshëm. Ulërimat dhe thirrjet për ndihmë kanë alarmuar edhe banorët e zonës, të cilët i kanë ardhur në ndihmë grave, ndërkohë që sipas dëshmitarëve grabitësit janë larguar me një motor. Dëshmitarët deklarojnë se gruaja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi mendohet që thika i ka prekur zemrën, ndërsa motra e saj ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Strukturat e policisë me të marrë sinjalizimin për ngjarjen e rëndë janë vënë në lëvizje për kapjen e autorëve, ndërkohë që në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të Tiranës janë ngritur post blloqe. Sipas policisë, autorët mësohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të Unazës së Re.