Krimi në familje, droga, vjedhjet, aksidentet dhe zjarret, kryefjala e kësaj vere

537
Vendi është përfshirë nga një situatë tepër e rëndë e kriminalitetit. Vrasjet janë shtuar. Ndërkohë vatrat e zjarrit kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha me pyje
Burri vret gruan në Lushnjë dhe, gjatë marrjes në pyetje, pendohet. Një tjetër krim, dy ditë pas të parit, ndodhi dje në Kamëz. Krimi në familje ishte i dyfishtë. Burri pasi qëllon për vdekje gruan, merr me vete edhe motivin e vërtetë të ngjarjes tragjike. Ndërsa në Lushnjë krimi u krye me një sqepar, në kryeqytet me armë zjarri. Ndërkohë në të gjithë territorin e vendit raportohen ngjarje të ndryshme. Një krim tjetër ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Ksamil. Në kryeqytet ngjarja tronditëse ka ndodhur gjatë paradites së djeshme në zonën e njohur si “Frutikulturë” në Kamëz, ku policia është sinjalizuar për të shtëna me armë zjarri. Drejt vendit të ngjarjes mbërritën efektivët e komisariatit nr.5 të policisë, të cilët sipas të dhënave që raportuan gjetën trupat e pajetë të bashkëshortëve Halil Lita 65 vjeç, dhe Dije Lita 60 vjeçe. Nga hetimet paraprake është mësuar se Halil Lita, ka qëlluar me armë zjarri automatik bashkëshorten e tij Dije Lita në fytyrë duke e shpërfytyruar, dhe më pas ka qëlluar veten në gjendje të rënduar psikologjike. Po dje në kryeqytet u shënua një plagosje. Dy persona nisën një sherr dhe më pas gjithçka ka degjeneruar në goditje me thika. Policia raportoi përmes një komunikate se ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në rrugën “Don Bosko”. Me thikë sipas saj është qëlluar 34-vjeçari S.M., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Si i dyshuar për ngjarjen e ndodhur rreth orës 10.15, është vënë në pranga Besnik Kolndreu, 29 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet paraprake është mësuar se dy të rinjtë janë konfliktuar për motive të dobëta me njeri- tjetrin. 

Vrasja në Ksamil, zbulohen detaje 
Zbulohen detaje të reja lidhur me krimin e ndodhur në Ksamil në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, ku mbeti i vrarë Vangjush Çiko. Mësohet se viktima është qëlluar disa herë me pistoletë në oborrin e shtëpisë së tij, teksa ndodhej brenda në makinë. Për shkak se plumbat e kanë prekur në kokë dhe në gjoks, ai ka gjetur vdekjen. Mësohet se gruaja dhe vajza e të ndjerit panë dy persona duke u larguar me makinë, ndërsa para atentatit qëndronin të fshehur poshtë një peme ulliri që ndodhej në shtëpinë e viktimës. Për shkak se zona ku ndodhi krimi ishte e pandriçuar, e kanë pasur më të lehtë për të vepruar. Gruaja thërriste e tronditur “më vranë Gelin”, siç i thërrisnin të ndjerin, ndërkohë që vajza ka parë që autorët e dyshuar tentuan të largohen me makinë, por mjeti nuk u ndez. Kjo bëri që njëri prej tyre të largohet me vrap nëpër rrugica, ndërsa tjetri është larguar pak më vonë, pasi makina është ndezur. Dyshimi kryesor i krimit tronditës është ai i hakmarrjes, kjo pasi Vangjel Çiko është babai i Dhimitër Çikos aktualisht i arrestuar si i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator 2016. Dhimitër Çiko, akuzohet se bashkë me Albi Xhezairin i shpallur në kërkim dhe Amarildo Lamen, kanë vrarë Aleksandër Bardhin. Ndërkohë më 12 dhjetor 2016, u vra edhe babai i Albi Xhezairit, Agron Xhezairi 53 vjeç. Që të dyja këto krime, i mbrëmshmi dhe ai i dhjetorit të kaluar, dyshohet se kanë ndodhur për hakmarrje lidhur me vrasjen e Aleksandër Bardhit.
Drogë në Vlorë e Himarë
Në vijim të operacionit ndërkombëtar të nisur ditën e shtunë i cili u finalizua bashkëpunimit me DVKM Vlorë, Delta Forcën, DVP Vlorë dhe Guardia di Financën, ku u sekuestruan rreth 650 kg lëndë narkotike në ujërat ndërkombëtare si dhe u ndaluan dy shtetas që po e transportonin, operacioni ka vijuar me krehjen e zonës ku dyshohet se është nisur gomonia që u sekuestrua me lëndë narkotike. Si rezultat i krehjes së zonës u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i sasisë tjetër të lëndës narkotike Cannabis Sattiva gati për tu trafikuar. Lënda narkotike u gjet pranë ”hidrovorit” në Akërni, Novoselë, të fshehur në një zonë pyjore, 29 pako të mëdha me peshë 20 deri në 25 kilogramë secila. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 48 bidonë me benzinë me nga 60 litra secili, si edhe një mjet tip furgon të markës ”Iveko”, bosh. Nga hetimet paraprake dyshohet se dy personat e kapur në Itali në operacionin e përbashkët, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ku për arsye hetimi nuk jepen të dhëna për ta do të trafikonin në Itali edhe këtë sasi lënde narkotike të sekuestruar në Akërni. Vijon operacioni dhe shkëmbimet intensive të informacioneve me Zyrën Interforcë të Policisë italiane dhe Guardia di Finanza. Ndërkohë në një dhomë hotel i në Himarë u zbulua 422 kg drogë e llojit kanabis sativa. 
Sigal