Krim i dyfishtë në Durrës, mbyten me qese dhe litar 2 të moshuara

525
Sigal

Pak orë më parë u regjistruan 3 atentate, dy ndaj biznesmenëve. Asnjë autor në pranga. Ministri Tahiri, në vend të dorëheqjes, bën paradë ‘suksesesh’

Krimi i reflektuar në atentate e vrasje makabre ka pushtuar vendin, ndërkohë policia është e paaftë të identifikojë e arrestojë kriminelët. Kurse ministri Saimir Tahiri e vartësit e tij, në vend që minimalisht të bëjnë detyrën, bëjnë ‘parada suksesesh’….

Dje, qyteti bregdetar i Durrësit është zgjuar i shokuar nga një krim i pazakontë. Dy të moshuara, kunata me njëra-tjetrën, janë vrarë në mënyrë mizore në banesën e tyre: të mbytura me qese plastmasi dhe me duart e lidhura me litar. Krimi tronditës ndodhi pas mesnate në lagjen numër 11, teksa Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç janë gjetur të pajeta në banesën 2-katëshe mëngjesin e ditës së djeshme. Autorët e vrasjes së dyfishtë, të cilët dyshohet se kanë hyrë në banesë duke kapërcyer murin rrethues nuk janë zbuluar, ashtu sikurse rrethanat e krimit mbeten ende të paqarta.  Burime për “Telegraf” konfirmojnë se, një nga pistat e policisë së Durrësit është ajo e grabitjes, pasi nga kontrolli i bluve, shtëpia është gjetur e shkatërruar dhe gjithçka e përmbysur. Duket sikur autorët e këtij krimi të rëndë kanë kërkuar me ngulmim sende me vlerë. Pista tjetër është ajo e konflikteve për pronësinë, pasi ka pasur gjyqe pronash mes kushërinjsh. Sakaq, në shtëpinë e dy të moshuarave që humbën jetën, ndodhej dhe një tjetër e moshuar e cila fatmirësisht nuk është dhunuar nga grabitësit, ndërsa mësohet se ishte e paralizuar. Ajo është motra e një prej të moshuarave që mbeti e vrarë, ndërsa mësohet se nuk është në gjendje për të folur në lidhje me çfarë ndodhi në banesë.
DËSHMITË

Familjarët janë terrorizuar nga ky krim i rëndë dhe i kërkojnë shtetit të gjejë e të ndëshkojë rëndë autorët. “Zonjat i përkisnin dy prej familjeve më të njohura dhe të respektuara në qytetin bregdetar të Durrësit. Asnjëherë nuk kanë pasur probleme. Ato jetonin të vetme prej vitesh, por kishin mbështetjen financiare të fëmijëve që jetonin shumë pranë banesës së tyre. Madje, kishin pajtuar edhe një punëtore për të moshuarën, e cila ishte e paralizuar. Këto janë tre gra të tria të moshuara. Njëra prej tyre është e shoqja e ish-arsimtarit të dalluar të Durrësit Jani Vava. Ka punuar si llogaritare në Uzinën mekanike, ka qenë një grua e nderuar. Tjetra, Gjenovefi është motra e Janit, e cila edhe ajo ka qenë punëtore. Kanë edhe një motër që e kanë të sëmurë dhe banon bashkë me to, të tria janë me pension. Gjithmonë, kanë parë punën e tyre dhe nuk i kanë rënë kurrkujt në qafë. Kanë një vajzë dhe një djalë të martuar. Fëmijët jetonin më vete në një shtëpi më poshtë. Kanë pasur një grua që i ndihmonte për motrën që është sëmurë dhe që e paguanin. Është ajo proverba e vjetër që paratë dhe gjynahet nuk tregohen, kështu që, nuk kam ditur të kenë para të tjera mënjanë përveç lekëve që i mbeteshin nga pensionet”,-pohoi për medien  K. Simaku, një i afërmi i viktimave. “Të gjithë i njihnim për gra të nderuara në lagje, ato ishin në pension dhe ishin shumë të sjellshme… Jemi të shokuar nga kjo tragjedi e rëndë, pasi ato zonja nuk e meritonin kurrsesi një fat të tillë. Uroj që autorët e kësaj masakre të identifikohen dhe të vendosen para drejtësisë dhe të marrin dënimin maksimal”, -thotë një tjetër komshi i të moshuarave. Të moshuarat jetonin shumë pranë të afërmve të tyre. Ishte djali i 72-vjeçares Elsa Vava ai që ka shkuar në banesë dhe ka parë të pajeta nënën e tij dhe nusen e vëllait të të moshuarës.

POLICIA

Policia e Durrësit ka dhënë përmes një njoftimi zyrtar informacionet paraprake për vrasjen e të moshuarave. Deri pak para mesditës janë shoqëruar 16 persona, të cilët dyshohet të kenë dijeni mbi rrethanat e krimit, si komshinj, të afërm apo edhe persona me precedentë në fushën e vjedhjeve me dhunë dhe përdorimit të narkotikëve. “Veprimet hetimore po drejtohen nga Prokurori i Rrethit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit janë dërguar specialistë të hetimit të krimeve të rënda dhe veprimet po ndiqen nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut në funksion të zbardhjes së ngjarjes dhe motiveve e rrethanave të saj”, njofton Policia e Durrësit.

SITUATA

Si pasojë e këtij krimi të rëndë, disa orë pas tre atentateve(dy ndaj biznesmenëve) ka krijuar një situatë të rëndë psikologjike e pasigurie në mbarë vendin. Krimi, përtej paradës së ‘sukseseve’ të drejtuesve të bluve e ministrit Saimir Tahiri, po njeh kurbë rritje dhe po bëhet përditë dhe më i sofistikuar. Përballë kësaj situate, policia pothuaj është inekzistente. Ajo është e pafuqishme për të marr situatën nën kontroll, për tu siguruar qytetarëve jetën dhe pasurinë. Në një situatë të tillë, do të ishte pak një dorëheqje e drejtuesve kryesorë të policisë dhe ministrit Tahiri, e jo një ‘arnim’ organik, rokada kryepolicësh…. Një ditë më parë(të hënën) u realizua atentati me armë ndaj biznesmenit të njohur në Vlorë, e policia nuk ka asnjë pistë e emër konkret të këtij krimi. Në të njëjtën ditë, po në mbrëmje, një luftë me armë zjarri mes palëve që lëviznin automjetet tek Kthesa e Kamzës në kryeqytet tronditi, e përsëri nuk ka autorë në pranga. Po në të njëjtën orë(dhe të njëjtën ditë) i bëhet atentat një biznesmeni në Selitë të Tiranës, autorët bëjnë gara me motor nëpër rrugët e Tiranës, e përsëri policia nuk arrin që t’i kapë. Ndërkohë, qytetarët janë të terrorizuar. Çfarë duhet të ndodhë që krerët e policisë të “shkunden”, të largohen nga funksionet pasi nuk po bëjnë detyrën ndaj taksapaguesve?! Në këtë situatë pasigurie e përgjumje të policisë, krimi merr forcë…