Kosovari kapet me 3 pistoleta në kufirin më Shqipërinë, hetohet se për ku ishte nisur

Policia Kufitare e Doganës së Morinit në Kukës ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit, ku në pranga ka rënë një 44-vjeçar nga Kosova. Policia arrestoi në flagrancë shtetasin kosovar Hamdi Mavriqi, 44 vjeç, banues në Prishtinë dhe i sekuestroi 3 pistoleta “Glock” si dhe 25 fishekë luftarakë.

Ky shtetas u paraqit në sportelin në hyrje të P.K.K.Morinë me mjetin e tij tip “Seat” dhe u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare për kontroll më të detajuar në vijën e dytë. Gjatë kontrollit fizik, poshtë xhupit ju gjetën dhe sekuestruan 3 pistoletat "Glock" dhe 25 fishekët. 

Armët e zjarrit, municioni luftarak si dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Tanimë po vijon puna për identifikimin e autorëve të tjerë të implikuar. Materialet në ngarkim të shtetasit Hamdi Mavriqi, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.