Korçë – Sherr mes krushqve, një person përfundon në spital

55
Detaje të reja janë zbardhur nga Policia lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në periferi të Korçës, ku një person ka përfunduar në spital, ndërsa dhunuesit e tij, janë vënë në pranga.

Burime zyrtare bëjnë me dije se janë arrestuar at e bir, pasi në bashkëpunim mes tyre, plagosën rëndë me mjete të forta krushkun e tyre.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Petrit Çaushllari, 47 vjeç, si edhe djalit të tij Emiljano Çaushllari, 21 vjeç, të dy banues në fshatin Buçimas-Pogradec.

Ngjarja
Arrestimi i tyre u bë pasi dje, dy personat e lartpërmendur, në fshatin Dërsnik – Korçë, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjete të forta në kokë dhe trup, shtetasit P.B, 60 vjeç, si edhe djalin e tij shtetasin S.B, 26 vjeç, në banesën e këtyre të fundit.

Nga hetimet e kryera rezulton se autorët e dyshuar të ngjarjes, kanë lidhje krushqie me dy të plagosurit, pasi vajza e Petrit Çaushllarit është nusja e djalit të shtetasit P.B dhe kunata e S.B.

Shtetasi P.B, aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës, nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Katër shtetasit e mësipërm dyshohet të jenë përfshirë në këtë konflikt fizik mes tyre pas një debati për motive të dobëta, midis shtetasit P.B. dhe nuses të djalit të tij.

Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.