Korçë, kapen me drogë, arrestohet 26-vjeçari, 2 shpallen në kërkim

194
Policia e Korçës ka mundur të vërë në pranga një të ri dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi u zbuluan me lëndë narkotike. Burime nga policia bëjnë të ditur se në pranga është vënë 26 vjeçari Daniel Hajro, ndërsa të shpallurit në kërkim janë A.M., 26 vjeç, banues në Korçë dhe Sh.M., 26 vjeç, banues në Tiranë. 
Mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.6 të Korçës, tre të rinjtë janë kapur në flagrancë në automjetin tip “Peugeot” me targa AA 932 LT, të cilin e kishin marrë me qera dhe gjatë kontrollit në mjet, janë gjetur katër doza lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa. Duke përfituar nga errësira, dy të rinj kanë mundur të largohen dhe aktualisht po punohet për kapjen e tyre. 
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar katër doza me lëndë të dyshuar si kanabis sativa me peshë të përgjithshme 2 gramë; një automjet tip “Peugeot” me targa AA 931 LT; 2 000 lekë të reja dhe një celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.