Konfliktet për pronën, vritet me armë zjarri 33-vjeçari

402
Sigal

Një tjetër krim i rëndë, ekzekutim me armë zjarri ka tronditur dje Lushnjën, ndërkohë, policia ka administruar ngjarjen, ka nisur hetimet,  dhe më pas ka shoqëruar tre persona si të akuzuar për këtë krim të rëndë… Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se vrasja është bërë me armë zjarri paraditen e së hënës në fshatin Zhamë të komunës Dushk, në Lushnje. Nga i njëjti burim mësohet se viktimë e kësaj vrasje është 33-vjeçari Besnik Dingozi, banor i këtij fshati. Po nga hetimet e para të policisë, mësohet se shkak i konfliktit ka qenë sherri për pronën.

KRIMI
Sipas të dhënave të policisë së qytetit të Lushnjës, viktima e këtij atentati, është 33-vjeçari Besnik Dingozi 33-vjeç, banor i fshatit Zhamë të komunës së Dushkut në Lushnje. Ndërsa të shoqëruarit për krimin e  vrasjes janë Haxhi Mata, Skënder Mata dhe Xhevahir Meta, të tre pjesëtarë të së njëjtës familje. Burimet policore dhe ato nga vendi i ngjarjes, japin dhe detaje për rrethanat e krimit dhe motivet. “Prej kohësh viktima dhe tre të akuzuarit për vrasje, kishin konflikte me njeri-tjetrin për pronësinë e një parcele toke. Herë pas here, mes tyre ka pasur jo vetëm sherre me fjalë, por deri dhe prag-konfliktesh fizike. Ditën e hënë, rreth orës 11:00, palët janë përballur me njeri-tjetrin dhe kanë nisur sherrin. Në një moment, kur konflikti ka arritur kulmin, 33-vjeçari Dingozi është qëlluar me armë zjarri. Për shkak të plagëve të shumta me armë zjarri (çifte gjahu), 33-vjeçari nuk ka mundur që të mbijetorë, megjithëse është dërguar në spital”- shtojnë burimet e mësipërme.

HETIMET

Forcat e policisë, pas telefonatës së banorëve të fshatit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Pas pyetjeve të para e dëshmitarëve, nuk ka qenë e vështirë që të identifikohen të dyshuarit për këtë krim të rëndë. Në këto kushte, policia ka bërë arrestimin e familjarëve Haxhi Mata, Skënder Mata dhe Xhevahir Meta. Njëkohësisht, në vlerën e provës, është bllokuar dhe arma e gjahut me të cilën u bë vrasja. Në funksion të zbardhjes së ngjarjes, përveç deponimeve të tre të të akuzuarve, janë shoqëruar për dëshmi dhe mbi 10 persona të tjerë, dëshmitarë në vendin e ngjarjes apo dhe persona që kanë dijeni për konfliktin mes palëve që çoi në tragjedi… Krimi për pronës, pas atyre të aksidenteve, nisur nga numri i të vdekurve e të plagosurve, përbëjnë përqindjen më të madhe të numrit të viktimave të regjistruar muajt e fundit në shkallë vendi.