Konfliktet për bashkëpronësinë në banesa çojnë në vetëgjyqësi…

434
Sigal

 Ne shqiptarët e kemi gjetur më të lehtë, të hahemi e grindemi me njëri-tjetrin e t’ia shesim sa njërit-tjetrit fajet

 Prej kohësh ishte ndjerë nevoja e një ligji për rregullimin e marrëdhënieve mes banorëve, për bashkëpronësinë në banesa.  Ndaj, më në fund, në dt. 09.04.2009, u miratua Ligji nr. 10112.  Por, sadoqë u miratua  ky Ligj, nuk u popullarizua e nuk u kërkua zbatimi i tij, sepse të rrallë janë banorët që e dinë se ka dalë, por edhe kush njeh diçka, nuk ndjen detyrim për zbatimin e tij. Situata ngelet po ajo e para daljes së ligjit.

Pika 12 e Nenit 1 të këtij ligji detyron edhe miratimin e “Rregullores së administrimit të ndërtimeve”, si akt nënligjor që duhet të nxirret nga Këshilli i Ministrave. Nuk di nëse ka dalë apo jo një rregullore e tillë?! (Nëse do të kishte dalë, diçka më shumë mund të ishte bërë)

Në ligj përcaktohet mënyra e administrimit të b/pronësisë: Neni nr. 10 i ligjit, shpreh të drejtat dhe detyrimet e çdo bashkëpronari, etj, etj. Por nuk ka asnjë shenjë veprimtarie në këtë drejtim.  Me sa duket, kjo vjen nga fakti se ligji lë evaziv, apo më saktë, nuk përcakton organin që ka detyrimin ta ndjekë e ta zbatojë këtë ligj. Me sa kuptohet nga pika 14 e Nenit nr. 2, diçka flitet për, “Inspektorat vendor”, që është inspektorati ndërtimor  dhe urbanistik, i bashkisë/komunës, që, siç thuhet: “funksionon në bazë të ligjit për inspektimin e ndërtimit”. Për fat të keq, asnjë gjurmë të punës së këtyre organizmave nuk kemi parë e dëgjuar, përveç gjurmimeve (deri dhe me përgjimin e “spiunëve” të brendshëm), për ndonjë ndërtim pa leje,  kur siç dëgjohet janë sulur më shumë për të mbushur xhepat, sesa të kërkojnë zbatimin e ligjit. Madje, flitet se në të shumtën e rasteve janë bërë vetë nxitës të ndërtimeve, me “dashamirësinë” që i interesuari të bëjë diçka, kurse “lejedhënësi” të marrë ca para. Mjerë ata që kanë rënë pre e këtyre taktikave, e që tani, për fat të keq, me shkatërrimet që po ju bëhen, ngelën në diell. U iku nga duart jo vetëm vlera e ndërtimit, por edhe ajo e ryshfetit të majmë, (sido që vërtitet muhabeti, me përjashtim të faktit që nuk ka asnjë gjurmë e kërkesë për zbatimin e ligjit të administrimit të bashkëpronësisë.. të tjerat nuk merren për bazë, sepse ngelen në kuadrin e thashethemeve… S’ka gjurmë për këto. Vetë hallexhinjtë e dinë).

Neni 23, pika 1: detyrojnë kryetarin e bashkisë/komunës, që nëse 6 muaj mbas hyrjes në fuqi të ligjit, nëse nuk ka gjetur zbatim administrimi i b/pronësisë, ka detyrimin të kontraktojë administratorin ose shoqërinë administruese të banesës. Gjithashtu pika 2 e Nenit 14, të ligjit i njeh të drejtën çdo banori, t’i drejtohet kryetarit të bashkisë/komunës, nëse nuk funksionon ligji. Por ç’ ti bësh? Ne shqiptarët e kemi gjetur më të lehtë, të hahemi e grindemi me njëri-tjetrin e, t’ia shesim sa njërit- tjetrit fajet, se: ka defekte në ujësjellës, në elektrik, nuk funksionon ashensori, rrënohen muret e shkallët e hyrjes, apo fasada, pikon tarraca, (mjerë ai që e ka mbi kokë), përmbytet bodrumi e rrezik të shembet pallati nga ujërat e zeza, etj, etj. E shpesh, gati të vritemi me njëri-tjetrin, nga injoranca që na mbyt, mungesa e ligjit e mosgjetjen e rrugëdaljes normale. Pale që ata më me shkollë e nivele pozitash e kulture, qëndrojnë më indiferentë e nuk afrohen fare për zgjidhjen e këtyre problemeve. Jetojmë në mungesë totale të kulturës së komunitetit, ndaj është e ngutshme edhe në këtë drejtim kërkesa e zbatimit të ligjit në fjalë.                                                                                                                                                                                         Jorgji Davidi