Konfiskohen tre ton kokainë në Spanjë

472
Policia spanjolle ka konfiskuar plot tre ton kokainë duke regjistruar kështu sasinë më të madhe të kapur në vend që prej vitit 1999. Lënda narkotike u gjet në rajonin veri-perëndimor të Galicias, teksa në pranga kanë përfunduar 12 persona. Ndër ta, përfshihen transportuesit që ishin spanjollë, shitësit që vinin nga Holanda si dhe blerësit të cilët ishin shtetas britanikë. E përditshmja angleze ‘The sun’ ka raportuar se në total janë tetë persona nga Britania e Madhe, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende nga policia.
Kjo është hera e dytë në vetëm pak kohë që në Spanjë kapet një sasi e konsiderueshme kokaine. Jo më larg se disa javë më parë, autoritetet arritën që të konfiskonin më shumë se një ton kokainë, e cila ishte përpunuar me mjeshtëri për të dhënë përshtypjen e një palete prej druri. Origjina e dërgesës ishte Kolumbia, ndërkohë që ende nuk është zyrtarizuar se nga ku erdhi droga e kapur gjatë orëve të fundit në rajonin e Galicias.
Sigal