“Kolumbia e Evropës”/ Si u bë Shqipëria e vogël selia qendrore e trafikut të drogës të kontinentit

486
Sigal

Peshkarexha e bardhë me vija të gjelbra lundron në ujërat e Adriatikut.

Me sirenat të ndezura, forca të përbashkëta italo-shqiptare të rojës bregdetare ndalojnë anash saj dhe kërkojnë të hipin në bord për të kontrolluar për kontrabandë.

Operatori i peshkarexhës, i veshur me tuta portokalli, shfryn e ankohet.

Dikur, të gjeje drogën e nisur përmes detit me anije drejt Evropës ishte e thjeshtë, mjafton të shihje për dëngjet e mëdhenj të kanabisit në ngarkesë.

Por, disa vjet më parë, autoritetet shqiptare nisën një operacion agresiv në fshatra me shpresën se duke shkatërruar arat me kanabis dhe duke arrestuar disa nga kultivuesit do të zvogëlonin fuqinë e trafikuesve, për t’i hequr vendit statusin e të padëshiruarit dhe për të ndihmuar hyrjen në Bashkimin Evropian.

Por, kjo vetëm sa i bindi trafikuesit të ndiqnin një lojë më fitimprurëse e të rrezikshme. Tani një sasi kokaine me vlerë miliona dollarë mund të fshihet në hapësira të vogla apo dhoma të fshehta në anije peshkimi. Dhe trafikantët tani përdorin të njëjtin rrjet të kanabisit për të trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut dhe heroine nga Azia Qendrore përmes Italisë në pjesën tjetër të Evropës.

Bandat shqiptare konsiderohen ndër të parat në botë për trafikimin e heroinës, kokainës dhe kanabisit. Agjencitë amerikane dhe evropiane e kanë përshkruar Shqipërinë si furnizuesja më e madhe e kanabisit në BE, si dhe një pikë tranziti të rëndësishme për heroinën dhe kokainën. Bazuar në vlerën e drogës së kapur, disa vlerësojnë se vetëm marijuana gjeneron deri në 4 miliardë dollarë në vit, gjysma e GDP të Shqipërisë.

‘Deti Adriatik tani është shndërruar në autostradë për trafikun e drogës’, thotë Xhemal Gjunkshi, deputet i opozitës në parlamentin shqiptar dhe ish-oficer ushtrie.


Porti i Durresit

Zyrtarë të rojës bregdetare, të cilët kërkuan të mbeteshin anonimë, thonë se duhet të jenë të kujdesshëm. Trafikantët janë shpesh të armatosur, ndonëse ende nuk ka pasur ndonjë rast përdorimi kundër tyre.

‘Vitet 2015 e 2016 ishin të tmerrshëm’, thotë një oficer i lartë i rojës bregdetare. ‘Ishte Kolumbi’.

Peshkarexha e bardhë kontrollohet dhe lejohet të largohet në punën e saj.

Me raste, roja bregdetare, shpesh në bashkëpunim me patrullat kufitare të BE, ka fat. Janarin e kaluar gjeti 1.5 ton kanabis poshtë dyshemesë në një anije. Muajt e fundit, qindra kile kokainë u zbuluan mes bananeve të importuara nga Kolumbia.

Zakonisht droga i kalon kontrollit. Zyrtarët shqiptarë e pranojnë se ata interceptojnë vetëm 10 përqind të ngarkesa që hyjnë e dalin nga vendi. Një diplomat perëndimor thotë se shifra e vërtetë është 5 përqind, çka u lë trafikantëve mjaftueshëm pasuri për të blerë autoritetet portuale nga Rotterdami në Izmir.

‘Grupet e sofistikuara të trafikut janë bërë aq të fuqishme sa që kanë rrjete në të gjithë botën’, thotë Alfons Rakaj, një kërkues me bazë në Tiranë dhe konsulent i fokusuar mbi Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.

‘Janë manaxhues shumë të mirë të rrjetit në gjithë botën, nga Amerika Latine në Evropën Perëndimore. Dhe është e qartë që të gjitha këto banda veprojnë me një farë niveli mbrojtjeje e përkrahjeje nga politika dhe policia’.

Në vetëm pak vite, sipas diplomatëve dhe zyrtarëve, Shqipëria është bërë selia kontinentale e trafikut të drogës dhe shumë druhen se paratë e kanë infektuar plotësisht elitën politike, duke e bërë të vështirë ta pastrosh, edhe me joshjen e anëtarësisë në BE.

‘Është Kolumbia e Evropës’, thotë një diplomat perëndimor. ‘Është prodhuesi dhe distribuesi i drogës në Evropë. Është një narko-shtet dhe do të humbisnin shumë parà duke dalë nga trafiku i drogës për të hyrë në BE’.

Tregtia e drogës ka hyrë tashmë në qytetet kryesore të vendit, përfshirë kryeqytetin, Tirana, dhe qytetet port të Durrësit e Vlorës. Në letër, Shqipëria është ndër ekonomitë më të varfra të Evropës me një sektor bankar mizerje plot borxhe.

Qytetet shqiptare po përjetojnë një bum ndërtymi me zyra shndritëse, kulla rezidenciale e qendra tregtare, me dyqane luksoze.

Të rinjtë bredhin me makina të modeleve të fundit duke dëgjuar rap gangsterësh shqiptarë e amerikanë. Një nga hitet më të mëdhenj kohët e fundit në Shqipëri ishte një këngë e quajtuar ‘Kokaina’, e cila e krahasonte një femër të bukur me kokainë cilësore.

‘Shqipëria nuk është më një nyje kultivimi’, thotë një zyrtar i BE. ‘Është bërë qendër investimi, distribucioni dhe rekrutimi’.

Atë e thërrisnin ‘Padrino’ apo ‘faqedjeguri’ për shkak të vragave të dukshme që kishte në faqen e majtë. Për vite, Edison Harizaj ishte lideri i rrjetit të trafikut të kanabisiti në Vlorë, njeriu që doli në majë duke nxjerrë jashtë gare rivalët përmes dhunës e intimidimit, por edhe duke korruptuar zyrtarët dhe policët lokalë për të goditur rivalët ndërsa atë e linin të qetë.

Edison Harizaj i quajturi “Padrino”

Kur zyrtarët refuzuan të bindeshin, besohet se ka marrë masa ndëshkimi. Ai është nën hetim për vrasjen e një gjyqtari më 2011 për shkak të një konflikti prone.

Por edhe rivalët e Harizajt nuk mbetën thatë. Të përzënë nga Vlora, qytet i dashur për trafikantët për shkak të afërsisë me brigjet italiane, ata i shpërngulën operacionet në Belgjikë, Holandë e Britani dhe kaluan më herët në biznesin më fitimprurës të kokainës e heroinës. Grumbulluan pasuri të mëdha, krijuan lidhje me homologët italianë e latino-amerikanë dhe pastaj, duke filluar rreth një vit më parë, lëvizën kundër Harizajt.

Gjatë një viti, 23 persona të lidhur me tregtinë e drogës janë zhdukur, pjesë e asaj që Artan Hoxha, gazetar investigativ, e quan konkurrencë në rritje midis bandave e rrjeteve rivale të drogës.

Trafikantët e Shqipërisë deri tani kanë mbajtur profil të ulët, duke preferuar të qëndrojnë jashtë vëmendjes. Deri tani, pak në mos fare qytetarë janë gjendur mes luftërave të drogës. Por nuk hezitojnë të kërcënojnë ata që hedhin dritë mbi aktivitetin e tyre.

Në dhjetor, Hoxha ishte në një program televiziv ku tregoi foto të një të dyshuari që duhej të ishte në arrest shtëpie i akuzuar për drogë, por që në fakt vazhdonte punën. Teksa fliste për historinë, mori një telefonat anonime. Ishte një kërcënim me vdekje.

‘I marr përditë’, thotë Hoxha.

Dhuna në rritje ka detyruar edhe disa trafikantë që të heqin dorë. Verën e kaluar, një trafikant, Gazmend Merkaj, zbuloi një bombë me telekomandë të ngjitur në makinën e tij. Duke kuptuar se ishte objektiv atentati, zgjodhi dorëzimin në polici në vend që të rrezikonte zemërimin e rivalëve.

Në burg, për pak sa nuk u vra me thikë nga një i burgosur tjetër që mendohet të jetë paguar për ta vrarë. Tani mbahet në një spital burgu në Tiranë, larg nga të burgosurit e tjerë dhe, sipas Hoxhës, po këndon si zog para prokurorëve.

Harizaj, mbreti i drogës me nofkën ‘Padrino’, nuk ishte me kaq fat. Më 7 nëntor të vitit të kaluar, ai u vra me breshëri plumbash në rrugën midis Tiranës e Durrësit. Ishte 39 vjeç dhe me shumë gjasa viktimë e të njëjtëve trafikantë që ai dhe shokët e tij detyruan të linin Shqipërinë disa vjet më parë.

‘U kthyen për të vrarë mbretin’, thotë Hoxha. ‘Nuk është si në Ciudad Juarez apo Tijuana. Por beteja që ka nisur është për të marrë kontrollin e zonës së Vlorës dhe është bërë më e dhunshme’.

Shqipëria ka qenë qendër e trafikut të drogës që në fund të viteve ’90 kur lufta në ish-Jugosllavi e zhvendosi trafikun e drogës, makinave të vjedhura dhe të njerëzve më në jug. ‘Shqiptarët u bënë specialistë të trafikimit të drogës e të njerëzve në pjesën tjetër të Evropës’, thotë Hoxha.

Vitet ’90 koincidojnë edhe me rritjen e krimit të organizuar. Bandat vodhën armë nga depot në kaosin e revoltës më 1997. Konflikti civil la 2000 të vdekur dhe u shua vetëm me ndihmën e 7000 paqeruajtësve të OKB-së. Gjatë kaosit u krijuan zona ku nuk mund të hyje, të kontrolluara nga trafikantë droge të armatosur.

‘Na duhet të luftojmë imazhe shumë të shëmtuara të së kaluarës’, thotë Romina Kuko, zëvendësministe e brendshme.

Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të zhdukur kultivimin e kanabisit, duke sulmuar disa fshatra. Lazarati ishte një nga zonat e ndaluara. Survejimi ajror vlerëson se rajoni prodhonte kanabis me vlerë 4.5 miliardë dollarë në vit.

Më 2015, policia ndërhyri dhe shpartalloi operacionet e drogës, duke djegur bimët e arrestuar 15 trafikantë të supozuar në tre ditë luftë me armë që la të paktën një të vrarë.

‘Ishte luftë e vërtetë’, thotë Kuko.

Midis 2011 e 2016, u shkatërruan 2.5 milionë bimë marijuane dhe 5200 ara, sipas shifrave të qeverisë.

Por ashtu si djegia e arave të kanabisit në Meksikë nxiti kartelet drejt trafikut më fitimprurës të kokainës e heroinës, edhe trafikantët shqiptarë evoluan.

Në vend që të rrezikonin me kultivim kanabisi nën qiell të hapur, trafikantët e kthyen Shqipërinë në nyje tranziti. Heroina hyn në Shqipëria përmes importit të këpucëve e rrobave nga Turqia, një nga eksportuesit më të mëdhenj të tekstileve në botë. Kokaina vjen me ngarkesa bananesh e vaji palme nga Kolumbia. Më 28 shkurt 2018, autoritetet interceptuan 613 kg kokainë të maskuar si ngarkesë bananesh. Hoxha përshkruan një ‘rritje të fortë’ të numrit të shqiptarëve të vrarë në vendet e Amerikës Latine, sidomos në Ekuador, kur marrëveshjet shkojnë keq.

Droga transportohet me gomone të shpejta nga Vlora, Durrësi apo edhe Mali i Zi drejt Italisë. Në fillim të dhjetorit, Italia kapi një gomone 15 metra të gjatë me motor 300 kuaj fuqi që mbante 1.5 ton kanabis, me vlerë rruge mbi 10 milionë paund.

Trafikantët përdorin edhe ajrin, supozohet se nga 5 deri në 10 ngarkesa avionësh të vegjël kalojnë çdo ditë trafikun drejt Italisë, duke përdorur pista sekrete të hapura në lugina malesh, sipas Gjunkshit.

Vitet e fundit, pjesa më e madhe e kanabisit që vazhdon të rritet transportohet në Turqi, përmes të njëjtit rrjet që fut heroinën.

Policia ngriti në task-force anti drogë më 2017, duke bashkuar zyrtarë nga ministri të ndryshme dhe shërbimi i fshehtë. Kuko thotë se autoritetet kanë identifikuar 41 rrjete droge me bazë në Shqipëri. Njëri, i quajtur grupi i Bajrit, ka tentakula të përhapura deri në Holandë, Belgjikë e Spanjë, dhe ishte përfshirë në shantazhe e pastrim parash përveç trafikimit.

Kuko thotë se autoritetet kapën 34 milionë paund nga trafikantët më 2018. Por edhe ajo ankohet se puna në gjurmimin e trafikantëve shpesh shkon dëm pasi kriminelët e blejnë lirinë.

‘Mosndëshkimi është një plagë e këtij vendi’, thotë ajo. ‘Kemi parë rezultatet e gjyqtarëve aktivë e prokurorëve aktivë dhe jo-aktivë. Unë mund të zbuloj gjithçka, por nuk mund të bëj asgjë nëse gjykata nuk më jep mandatin’.

Telefonatat e përgjuar kanë qenë të forta. Saimir Tahiri, ish-ministri i brendshëm, u përmend nga trafikues shqiptarë me bazë në Itali. Prokurorët kërkuan kokën e tij. Por për habinë e të gjithëve, kryeministri Edi Rama qëndroi përkrah tij, duke refuzuar heqjen e imunitetit. Ai mbetet në pritje të gjyqit.

Ndërsa qeveria e mohon, ekspertët thonë se trafikantët kanë infektuar krejtësisht politikën dhe tregtinë, në nivelet më të thella. Zyrtarë të nivelit të lartë – nga kryebashkiakë në ministra – kanë qenë implikuar në tregtinë e drogës. Midis atyre të identifikuar nga media është Kelmend Baili, një zyrtar transporti me nofkën ‘Escobari i Ballkanit’, i akuzuar si një lord droge në Greqi.

Për të dhënë një shembull të bashkëpunimit të mundshëm midis trafikantëve dhe zyrtarëve: në bregdet është instaluar një rrjet radarësh Lockheed-Martin me sensorë që teorikisht kapin çdo mjet lundrues më të gjatë se 3.5 metra. Por në praktikë, barkat 15 metra të ngarkuar me drogë vazhdojnë të shfaqen në Itali.

Gjunkshi thotë se në zonën e tij, në Dibër, policia është direkt e përfshirë në rritjen, kultivimin, paketimin, transportin dhe shitjen e drogës.

Pasi studoi disa vjet në Britani dhe SHBA, Rakaj u kthye në Tiranë dhjetë muaj më parë dhe u vendos në zonën e Bllokut.

‘Sheh njerëz që mburren me makinat luksoze dhe janë në të njëzetat’, thotë. ‘E dallon lehtë që këta njerëz nuk kanë backgroundin, arsimimin apo trajnimin për të qenë në gjendje të kenë këtë lloj pasurie në duar. Vjen me pushtetin. I përkasin vërtet asaj lloj kulture pispillosjeje që ta përplasin fytyrës’.

Qytete port e peshkimi dikur të varfër përgjatë bregut tani janë plot hotele, restorante dhe pallate të reja, me trafikantët që shpeshherë ushtrojnë forcë karshi zyrtarëve lokalë për të marrë kontrollin e tokave të lakmuara. Joshja në biznesin e drogës duket e parezistueshme për të rinj me pak mundësi në një vend që e ka GDP për frymë baras me atë të Kubës. Pagat fillestare për punonjësit civilë janë rreth 300 paund në muaj.

‘Mendoj se shqiptarët i futen trafikut të drogës thjesht për t’u pasuruar shpejt’, thotë Rakaj. ‘Vendi ofron shumë pak përsa i përket një jetese të denjë, edhe nëse je punëtor i madh. (Trafiku) është një lloj rruge e shkurtër për të dalë nga varfëria’.
Indipendent