“Kokaina”, Apeli nuk ndryshon vendimin: Burg Ermal Hoxhës!

422
Sigal

TIRANE – Mbetet në burg Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Ka qenë Gjykata e Apelit e cila në seancën që po zhvillohet ditën e sotme nuk ka ndryshuar masën e arrestit me burg të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, lidhur me dyshimet ndaj tij për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës të zbuluar më 14 janar në Xibrakë të Elbasanit.
 
Mësohet se Ermal Hoxha nuk ka qenë i pranishëm në seancë, duke u përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës.
 
Nipi i ish-diktatorit kishte kërkuar heqjen e arrestit me burg pasi në pretendimet e tij Ermali ka mohuar lidhjen me drogën duke pranuar se ka shërbyer vetëm si taksist për dy kolumbianët pa e ditur se me se mereshin ata. Por pasi ka dëgjuar pretendimin e Hoxhës, Apeli ka vendosur të lërë të pandryshuar masën e arrestit me burg ndaj nipit të ish-diktatorit.

Ndërkohë në seancën e sotme do të shqyrtohen edhe kërkesat e 5 të arrestuarve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e kokainës.
 
Në seancën e sotme, dy prej të arrestuarve, Kelmend dhe Arjan Dalipi, të cilët kanë apeluar masën e arrestit me burg, do të kërkojnë lirinë me argumentinse ata magazinën ku u zbulua laboratori i kokainës e kishin dhënë me qira tek të tretët për biznes bojrash dhe në këtë mënyrë sipas tyre nuk kanë asnjë lidhje me drogën. 

Sakaq, burime pranë gjykatës thanë se Ilir Hyseni, i konsideruar si kreu i trafikut të drogës dhe i hetuar fillimisht nga autoritetet gjermane, nuk ka apeluar masën e arrestit me burg.
 
Po ashtu as dy kolumbianët, Cesar Avila dhe Walther Moreno mësohet se nuk e kanë apeluar masën e sigurisë arrest me burg. 

Të arrestuarit të cilët kanë apeluar arrestin me burg:
Kelmend Dalipi
Arjan Dalipi
Ermal Hoxha
Gentian Gjonaj
Sajmir Batku
Kastriot Imeri