Kërkuan ryshfete në doganën e Kakavijës, pranga dy efektivëve

457
Dy efektivë të policisë kufitare në Kakavijë janë arrestuar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion. Efektivët u prangosën, pasi i kishin lejuar të kalojnë kufirin në këmbim të parave, persona të cilët nuk ishin të pajisur me dokumentacionin përkatës për të kaluar në shtetin fqinjë. Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka vërtetuar dhe dokumentuar ligjërisht se punonjësit e Policisë Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të kryer nga persona të cilët ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 25 të Kodit Penal.” Mësohet se kontrollori Ylli Hoxha dhe përgjegjësja e turnit Veziko Bejko, me detyrë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, Gjirokastër, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash në këmbim të lejimit të kalimit të paligjshëm të kufirit të 3 shtetasve drejt Greqisë, pasi këta të fundit kishin mangësi në dokumentacion për të udhëtuar në zonën Shengen. “Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, e cila urdhëroi ndalimin e 2 punonjësve të policisë. Gjithashtu, punonjësit Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha janë përjashtuar nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë të detyrës. D.H.
Sigal