Kavajë, i shoqëruari në komisariat plagos me armën rezervë policin

480
Sigal

KAVAJË/Policia neglizhoi kontrollin sipas rregullores, i mori të shoqëruarit vetëm një armë, ai i qëllon me pistoletën që mbante të fshehur

Neglizhenca fatale për kontrollin fizik dhe sigurinë në mjediset e shoqërimit të policisë ka sjellë plagosjen e një efektivi të policisë së Komisariatit të Kavajës, ndërkohë, autori i plagosjes, është pikërisht personi i shoqëruar nga ana e tij! Sipas policisë, polici i plagosur është Xhemal Plaku, i cili ndodhet në spital, ndërsa autor i kësaj plagosje me armë, është Nazmi Bufi. Përtej lajmit zyrtar të policisë, rasti paraqet një skandal të rëndë si pasojë e shkeljes së kërkesave të rregullores për personat që shoqërohen si të dyshuar për vepra penale apo të shpallur në kërkim. Kjo për faktin se të shoqëruarit i është mbajtur një armë pas kontrollit, por ai, duke imituar Isa Boletinin në kancelaritë perëndimore (kur i thanë se të çarmatosëm në hyrje, ai nxori pistoletën tjetër nga çorapet), jo vetëm ka nxjerrë një pistoletë të fshehur (policia neglizhoi kontrollin e tij të hollësishëm sipas rregullores), por me të ka qëlluar dhe ka plagosur efektivin e policisë.

NGJARJA

Sipas burimeve zyrtare për “Telegraf”, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 15:00 të ditës së martë në mjediset e komisariatit të policisë së Kavajës. “Rreth orës 15:00 të ditës së mërkurë, është shoqëruar në komisariatin e policisë shtetasi Nazif Bufi, të cilit gjatë kontrollit i është gjetur një pistoletë që ai e mbante pa leje. Në momentin që në komisariat po vazhdonin procedurat e shoqërimit, ai ka tentuar që të largohet, duke përdorur një armë tjetër, pistoletë pa leje edhe ajo, duke qëlluar në drejtim të policit Xhemal Plaku. Kolegët kanë ndërhyrë, ndërkohë që i plagosuri është dërguar me shpejtësi në spital”,- shtojnë burimet për “Telegraf”. Lidhur me ngjarjen, nga mjediset spitalore, ka dhënë versionin e tij dhe vetë polici i plagosur. “Shoqërova një person në komisariatin e Kavajës. Gjatë kontrollit i gjetëm një pistoletë pa leje por i ndaluari kishte pasur edhe një armë tjetër të fshehur. Ai nxori pistoletën e dytë dhe më qëlloi në kofshë.”-ka pohuar ai midis të tjerave.

HETIMET

Burimet nga qendra spitalore e Durrësit pohojnë se polici Xhemal Plaku ka marr një plumb arme në këmbë dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Aktualisht, ai ndodhet në mjediset e këtij spitali nën përkujdesjen e mjekëve. Mësohet, gjithashtu, se grupi hetimor i ngritur për hetimin e rrethanave të kësaj ngjarje, po punon për zbardhjen e plotë të saj. I akuzuari është ndaluar në dhomat e paraburgimit, ndërsa dy armët (pistoleta), janë bllokuar në vlerën e provës. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se i arrestuari akuzohet për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake, kundërshtim të forcave të rendit në detyrë dhe plagosje me dashje e punonjësit të policisë. Në funksion të zbardhjes së plotë të ngjarjes, përveç dëshmive të viktimës, autorit të akuzuar, janë marrë dhe dëshmitë e personave të tjerë të ndodhur në vendin e ngjarjes apo që kanë dijeni rreth saj. Njëkohësisht, burime të rezervuara policore konfirmojnë se ngjarja e rëndë ka angazhuar dhe funksionarë të lartë të policisë në Tiranë. Po ashtu, mësohet se kjo ngjarje do të bëhet objekt i një analize të posaçme në rrugë administrative, si në organin policor të Kavajës, ashtu dhe në Tiranë.