Kapen me 300 kg drogë, arrestohen 2 shqiptarë në Greqi

46
Dy shqiptarë, u arrestuan dje në afërsi të qytetit të Kozanit, në Greqinë veriore, për transportimin e një sasie të konsiderueshme droge.

Sipas policisë lokale, gjithçka nisi të enjten paradite kur në zonën e Kosturit u diktuan dy “automjete të dyshimta”. Pas një operacioni të koordinuar, policia i ndaloi të dy mjetet në afërsi të Kozanit.

Në fugonin e parë, që drejtohej nga një shqiptar i moshës 33 vjeç, u gjetën 10 thasë që kishin brenda 20 pako me kanabis. Pas peshimit, rezultoi se sasia e përgjithshme ishte 304,6 kilogramë.

Policia arrestoi dhe drejtuesin e mjetit tjetër, një 24 vjeçar po nga Shqipëria, që kishte rolin e pararojës. Përveç drogës u sekuestruan 200 euro, 16 dollarë amerikanë dhe 10 paund.

U sekuestruan gjithashtu dy automjetet dhe tre telefona celularë.

Shërbimi anti-drogë po vazhdon hetimet për të hehdur dritë mbi destinacionin e kanabisit dhe persona të tjerë që mund të implikohen në këtë trafik.