Kapen 808 kg kanabis dhe një gomone

519
Policia e Vlorës ka goditur një rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, policia sekuestroi dje në orën 18:00 në zonën e Radhimës në vendin e quajtur “Cekodhimë”, 808 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa dhe arrestoi një person. Sipas policisë, një pjesë e drogës u gjet brenda një furgoni me targa AA619AJ. Droga do të trafikohej për në Itali dhe operacioni u zhvillua nga policia e Vlorës, Policia Kufitare në bashkëpunim me strukturat e policisë italiane, nukli detar “NUFROM” të koordinuar nga Zyra e Interforcës.
Pasi sekuestruan furgonin me mbi 800 kanabis sativa dhe arrestuan pronarin e automjetit Alban Koshin 48 vjeç, rreth 1 kilometër më larg u gjet e braktisur edhe një gomone me mbishkrimin “Twenty-six”. Brenda mjetit lundrues janë konstatuar 5 bidona me karburant, kurse pranë saj u gjetën 7 çanta të hedhura në bregun e detit, brenda të cilave kishte lëndë narkotike kanabis. Në total, lënda narkotike ishte 808 kg, e ndarë në 40 pako të mbështjella me letër plastike të tejdukshme. Gjithashtu Policia ka shpallur në kërkim pronarin e mjetit lundrues, 42-vjeçarin me iniciale R.M, banues në Vlorë. Policia po vijon hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi të lëndëve narkotike.
Sigal