Kanosi me armë 52-vjeçarin në Mirditë, pranga të riut që po tentonte të arratisej nga vendi

545
Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka kanosur me armë një 52-vjeçar. Burime nga policia e Lezhës bënë me dije se dje, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në fshatin Fan në Mirditë ka të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se për motive të dobëta, shtetasi Pashk Marku, 25 vjeç, banues në fshatin Fan në Mirditë, ka kanosur me armë zjarri automatik shtetasin M.P. 53 vjeç, banues në fshatin Fanë në Mirditë, duke gjuajtur në ajër.

Falë veprimeve të shpejta policore e të mirëorganizuara, në bashkëpunim me shërbimet policore kufitare Kapshticë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit Pashk Marku, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, në tentativë për të kaluar jashtë kufijve të territorit të Shqipërisë. Veprat penale në ngarkim të tij “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kanosja” parashikuar nga nenet 278 dhe 84 të Kodit Penal. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.
Sigal